Kreu i partisë dhe statuti; ose kryeministri dhe kushtetuta

Postuar në 15 Janar, 2014 11:16

Një intervistë e gjatë e Ben Blushit dhënë Panoramës kaloi çuditërisht pa u vënë re. Nuk bëri përshtypje e jehonë as nënvizimi i tij lidhur me çështjen e rinovimit të mandatit të kreut të PS-së. Në përgjigje të një shqetësimi gazetaresk, Rama ka lënë të kuptohet këto ditë (dhe kjo e ka bërë Blushin ta thotë të vetën shpejt e shpejt), se rinovimi i këtij mandati në rrethanat që kreu i partisë është bërë kryeministër pas fitores së zgjedhjeve nuk ka shumë kuptim dhe se këtë gjë e thotë dhe praktika e partive serioze të Europës. Mirëpo, kjo punë nuk zgjidhet me common sense. Dhe në këtë pikë Blushi ka të drejtë, kur thotë se ka një gjë që vlen më shumë se logjika humane e praktikat e precedentët ndërkombëtarë. Dhe kjo gjë janë rregullat e përcaktuara të lojës, që në rastin konkret është Statuti i Partisë Socialiste, i cili afërmendsh është ndërtuar mbi bazën e logjikës e të praktikave ndërkombëtare.

U futa dje në sitin e Partisë Socialiste, dhe i hodha një sy nenit që rregullon kompetencat e kreut të partisë, i cili, siç dihet tanimë, zgjidhet në respekt parimit ‘një anëtar, një votë”. Në nenin 30, pika 2, thuhet gërmë për gërmë: “Mandati i Kryetarit të Partisë është 4 vjet, [dhe] ndërpritet para kohe kur: a. jep dorëheqjen; b. partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative; c. humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e 1/3 së anëtarëve të parties”. Siç shihet, ka një nen që përcakton se kur ky mandat ndërpritet, dhe nuk ka asnjë nen që përcakton se kur ky mandat zgjatet në kohë e kur rinovimi i tij bëhet automatik.

Rama ka të drejtë, sipas meje, kur thotë se fitorja në zgjedhjet parlamentare e bën të panevojshëm rinovimin e mandatit të kryetarit (vota popullore ka, si rregull një peshë e rëndësi më të madhe se sa vota e anëtarëve të një partie), por puna është se statuti e kërkon në mënyrë taksative rinovimin e mandatit të Kryetarit. E nuk ka vend për asnjë intepretim rrethanash përsa kohë që Statuti është ky që është. Rama mund të sugjerojë ndryshimin e këtij statuti, e PS-ja s’do bënte keq, tok me Blushin, që t’i thosh ‘po’ këtij sugjerimi logjik, por përpara se të ndodhë kjo gjë, duhet respektuar statuti pikë për pike (kjo është këshilla më e parë që të jep logjika më elementare).

Prandaj, Rama do bënte mirë që të organizonte zgjedhjet brenda partisë me parimin ‘një anëtar, një votë’. Në mos, socialistët duhet t’ia kërkojnë Ramës këto zgjedhje. Me rregullat e lojës nuk bëhet shaka. E nëse në një rast ecet me idenë “hajt mo, varja statutit …”, duhet të kemi frikë se nesër mund të ecet me logjikën “hajt mo, varja kushtetutës, varja ligjeve …”.

Dita

Comments

Submitted by Adeci (not verified) on

<p>Drejt.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.