Nga Europa e Bashkuar në Shqipërinë e Bashkuar

Një batutë imja në Twitter – rezultat i detyrueshëm i kufizimeve që i vihen në atë nahije mendimit, dhe nuk e kam fjalën vetëm për gjatësinë e thënies – u bë shkas për një debat të vogël, më shumë keqkuptimesh, por të tillë që të më bindë se tema ia vlen të shpaloset edhe përtej kafazit të cicërimave. Batuta ishte “Ca duan Bashkimin Europian, ca Bashkimin Shqiptar,” dhe i referohej në thelb histerisë pop-nacionaliste që ia kapluar politikanët në Shqipëri, në këtë prag zgjedhjesh, kur të gjithë kanë hyrë në garë se kush mund të kakarisë më fort, në majë të pirgut me pleh, që është realiteti politik në vend.
Ta përfshish bashkimin kombëtar në programin tënd politik, kjo nuk përbën ndonjë mëkat në vetvete, madje edhe kur ti vetë thjesht po e bën për të fituar kapital me zgjedhësit; ose kur retorika jote u ngjet ca retorikave të tjera, që gjetiu i kanë mbyllur prej kohësh në muzetë e ndyrësive. Tek e fundit, është fare normale që të ketë njerëz, madje edhe politikanë, të cilët të duan t’i shohin shqiptarët të bashkuar në një shtet, pavarësisht si është abuzuar dhe si do të abuzohet edhe më tej me këtë ide.
Absurdja është se këtë avazin e bashkimit po e dëgjojmë nga të njëjtët politikanë, të cilët deri dje veç u binin sazeve të Bashkimit Europian, ose të integrimit. Dje donin ta “bashkonin” Shqipërinë në Europë dhe e paraqitnin këtë si të vetmin opsion për politikën e Tiranës në shekullin XXI; sot, pasi dështuan me atë bashkim (ngaqë Europën nuk e gënjyen dot), po luajnë kartën e një tjetri – bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm.
Nga Europa e Bashkuar në Shqipërinë e Bashkuar…. Çfarë i bashkon këto dy ide nuk është vetëm mekanika e projektit – ose integrimi i entitetit të sotëm politik shqiptar në diçka më të madhe – por edhe ideja se zgjidhja politike Shqipërisë mund t’i vijë vetëm duke u zhbërë; ose duke u mohuar dialektikisht. Dëgjojini këta politikanë, që e kanë krijuar realitetin e sotëm politik shqiptar me duart e tyre, që nga Kushtetuta në fuqi deri te aktet më të thjeshta nënligjore, e që tani u thonë njerëzve se e ardhmja konsiston pikërisht në zhbërjen e këtij realiteti, dhe se shpëtimi Shqipërisë do t’i vijë duke u shndërruar në diçka tjetër, të allasojshme – duke u futur nën ombrellën dhe autoritetin e një entiteti mbikombëtar, si Brukseli; ose duke u njëjtësuar nga poshtë, duke e rithemeluar shtetin shqiptar në gërmadhat e atij të Londrës, ose duke dalë nga zhgualli i sovranitetit të sotëm dhe i detyrimeve të qarta që vijnë me këtë sovranitet.
A nuk është kjo aspiratë, ky vizion që po ua tundin qytetarëve nga mëngjesi në mbrëmje, pohimi i tërthortë i disfatës totale, i zbythjes; ose pranimi se këta politikanë kanë dështuar tashmë dhe se nuk ka asnjë mënyrë për ta rimëkëmbur Shqipërinë përveçse duke e zhbërë si të tashme, dhe duke e rikrijuar në një përmasë të re – europiane ose etnike ose kushedi se çfarë tjetër?
E kishim vënë re, prej kohësh, se vendosmëria e deklaruar për t’u futur në Bashkimin Europian me çdo kusht, gatishmëria për të plotësuar të gjitha kushtet, për t’i kryer të gjitha detyrat, për t’i pasur këpucët të lustruara dhe këmishat të hekurosura dhe flokët të krehura dhe sqetullat të freskëta, më shumë se një përkushtim ndaj Perëndimit ishte shprehje e dëshirës së klasës politike që pushtetin t’ia legjitimonte Europa.
Edhe Bashkimi Europian e pat vënë re me siguri, prandaj edhe po ngurron ta pranojë Shqipërinë, me këtë klasë politike që ka sot, në gjirin e vet, madje duke marrë në sy edhe rrezikun që kjo klasë politike t’u futet aventurave alternative, me partnerë të pashijshëm (siç edhe u është futur); e ka vënë re, dhe vështirë të mos u japësh të drejtë eurokratëve që stepen.
Kjo e Bashkimit Kombëtar, që po pushton tani me forcë podiumet e ligjërimit publik, nuk është shprehje e ndonjë nevoje të mirëfilltë të shoqërisë dhe të shtetit shqiptar për zgjerim të kufijve, as e ndonjë sentimentalizmi për të jetuar së bashku me “vëllezërit”; por veç forma më e fundit (dhe më e pamoralshme) e së njëjës orvatje për ta shmangur përballjen me realitetin, ose me politikën e mirëfilltë.
Shqipëria vijon të lëngojë në bisht të çdo tabele treguesish ekonomikë dhe socialë në kontinent – duke filluar që nga ekonomia, prodhimi, investimet, infrastruktura; e duke vazhduar me shërbimet publike, arsimin, shëndetësinë dhe kriminalitetin; shteti s’po resht së nxjerri në pazar stolitë e familjes (naftën, hidrocentralet), për të mbijetuar ditë pas dite; por dikursin politik paraelektoral shohim ta ketë pushtuar retorika kombëtariste, me tone nga më folkloriket: flamuj, çifteli, xhamadane, lapidare dhe dialekte hovarda.
Klasës politike, në pushtet dhe në opozitë, po i duket gjithnjë e më komode që sfidat e përditshme që i vijnë prej realitetit t’i zgjidhë duke rivizatuar hartat e duke iu referuar së ardhmes si tokë të premtuar.
Në gojën e opozitës, ose të ndonjë force politike të re, si AKZ-ja, argumenti edhe mund të tolerohet; meqë këto veç në të ardhmen mund t’i realizojnë aspiratat e tyre, duke qenë të përjashtuara, me përkufizim, nga politika e reale e momentit.
Përkundrazi, PD-së dhe aleatëve të vet argumenti nuk u lejohet më. Madje, vetë përdorimi i tij, ose lehtësia e kalimit nga një “bashkim” te tjetri, ose – më tej akoma – lehtësia me të cilën zhbërja e realitetit politik aktual u sillet përnjëmend si opsion turmave të pështjelluara, ua zhvlerëson retorikën kombëtariste vetvetiu.
Ky obsesion me të ardhmen, me mënyrën dëshirore, me idenë se e sotmja si e tillë nuk mund të ofrojë zgjidhje politike, pse i mungon arsyeja (gjithnjë në kuptimin hegelian), nuk mund të mos shihet si vijim, madje si metastazë e retorikës politike të djeshme, për të ardhmen e ndritur për të cilën luftonte populli shqiptar, me PPSh-në në krye. Dhe kjo jo ngaqë këta të sotmit janë sadopak komunistë nga botëkuptimi ose instinktet; as ngaqë këta të sotmit vërtet janë hegelianë për nga qasja që ia bëjnë realitetit – por vetëm ngaqë të dy palët, “ata” dje dhe “këta” sot, besojnë se publikut vetëm kështu mund t’i flitet që nga podiumet e pushtetit, ose duke i shpalosur përpara gjithfarë mirazhesh dhe vizionesh dhe tortash primitiviste.
Por ka edhe më – kjo dëshirë për “bashkime” mishëron, dashur pa dashur, edhe dëshirën për t’ia deleguar dikujt tjetër përgjegjësinë që të jep sovraniteti, ose edhe thjesht pushteti; sepse klasa e tanishme politike, sikurse edhe pararendëse të saj në historinë e shqiptarëve, e ka provuar se ka shumë më tepër talent për t’u paraqitur si mëkëmbëse, zëdhënëse e një pushteti tjetër, të përtejmë dhe të padiskutueshëm (Porta e Lartë, Moska, Uashingtoni), sesa për ta udhëhequr përnjëmend shoqërinë shqiptare, në përballjen e saj me të përditshmen.
Në rastin e Bashkimit Europian, kjo mendësi e mëkëmbësisë nuk kërkon ndonjë sqarim; por në rastin e kombëtarizmit folklorik dhe të retorikës së Bashkimit Shqiptar, ndoshta duhet sqaruar se bëhet fjalë për t’ia kaluar kombit përgjegjësinë e shtetit; dhe madhësisë abstrakte të bashkësisë etnike përgjegjësinë e drejtpërdrejtë që buron nga përfaqësimtaria, ose nga fakti sa i thjeshtë, aq edhe i shpërfillur, që këta njerëz janë, në thelb, përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve të tyre, jo të kombit shqiptar.
Dita
Comments
O Adrian, je nje Nihilist dhe
<p>O Adrian, je nje Nihilist dhe Relativist i pa shprese. <br />Me kete mendesi kunder idealit dhe endres per te ardhmen njerezit sot akoma do te jetonin neper shpella.</p>
Pse nuk e publikoni komentin
<p>Pse nuk e publikoni komentin tim?! Mos censuroni!</p>
Add new comment