Urime Hashim!

Kryeministri kosovar e ka lumturuar tërë Kosovën, madje edhe miqtë amerikanë dhe evropianë!? Ai ka marrë Çmimin e Sun Moon University, universitetit kishtar (evangjelist) të themeluar nga magnati kontrovers, që veten e vlerësonte të jetë “Mesia”!? I dënuar në Amerikë për fshehje taksash dhe konspiracion, Moon ishte dekoruar edhe nga Koreja Veriore!!!
Urime për çmimin “Doctor Honoris Causa” kryeministër!
Po të vinte lajmi në Prishtinë se kryeministri i Kosovës është laureuar me çmimin “Doctor Honoris Causa” në Harvard ose Columbia University, ose në Cambridge a Yale, sigurisht se kosovarët do të ndiheshin krenarë dhe do të kishin arsye për të festuar.
Po ashtu, po të kishte vetëm pak dinjitet në vendin në të cilin Hashim Thaçi është kryeministër, ai do të merrte sigurisht duartrokitje, sepse çmimi “Doctor Honoris Causa” u jepet personaliteteve të ndryshme për veprimtari humane, që kanë arritur të zbusin varfërinë dhe ta zvogëlojnë dhunën, të rrisin mirëqenien dhe demokracinë, të luftojnë për të drejtat e njeriut dhe liritë civile...
Sidoqoftë, do të ishte ky një lajm i mirë për Kosovën madje dhe një nder për qytetarët e saj, sikur në vendin e origjinës së laureatit të mos ndodhte një degjenerim total i pushtetit deri në përmasat e dhunës shtetërore…
Por jo, faktet janë të zymta, kryeministri i Kosovës ka marrë një çmim nga një universitet privat që lidhet me emrin e një njeriu kontrovers. Sun Moon University është një universitet i periferisë së Seulit, Cheonan, në Korenë e Jugut (dhe jo i Seulit, qysh u raportua në mediat e Prishtinës) i lidhur me Kishën e Bashkuar Evangjeliste të themeluar nga vetë Sun Moon.
Pra kjo shkollë është pronë e një njeriu konspirativ nën imazhin e një antikomunisti, magnatit medial Sun Moon, i dënuar në SHBA në vitin 1982, për paraqitje të rreme para organeve federale të tatimit mbi të ardhurat dhe hiç më pak se për komplot!?
Dënimi i tij u konfirmua në apel në një vendim të ndarë.
Moonit i ishte dhënë një dënim 18 muajsh dhe një gjobë prej 15.000 $. Ai shërbeu 13 muaj të dënimit në Institucionin Federal Korrektues, Danbury, para se të lirohej për sjellje të mirë!
Sipas të dhënave “Sun Moon University” është pjesë e një konglomerati të dyshimtë.
Motoja e këtij universiteti është “Dashuria për Zotin, njerëzit dhe kombin”, që dëshmon se është një shkollë kryesisht e lidhur me “fenë e re” të Sun Moonit, që llogaritet t’i ketë 5-7 milionë ndjekës nëpër botë.
Së paku, sipas “The Washington Post” të datës 16 shtator 2008, Moon akuzohet se kishte tradhtuar pasuesit e tij, duke abuzuar me qëllimet e larta të kishës dhe duke e kthyer lëvizjen e tij në një makinë të madhe të parasë, përmes zhvatjes.
"Deri në fund të vitit 1975, aktiviteti kryesor i kishës ishte mbledhja e parave, për të blerë shumë pasuri të patundshme në Kore dhe Shtetet e Bashkuara dhe fillimin e shumë bizneseve", ka thënë Soejima, një anëtar i Kishës së Unifikuar Evangjeliste në Japoni, i cili e kishte denoncuar Moonin se në emër të kësaj kishe nga Japonia në SHBA ishin transferuar 800 milionë US$.
“Moon nuk është duke punuar për botën, por për vete", ka thënë ai.
Pas kësaj deklarate, Soejima ishte sulmuar me thika në Japoni dhe mezi kishte shpëtuar.
Soejima ishte pushuar nga Moon për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi pavarësinë editoriale, si redaktor i “Sekai Nippo”.
Rreth 100 njerëz - duke përfshirë rreth 30 karateistë - kishin zbarkuar në zyrën e gazetës. Ata ishin të udhëhequr nga anëtarët e Shekyo Rengo, një grup politik antikomunist të lidhur me kishën e Moonit. Sipas Soejimas, ata përmbysën tavolinat, vodhën dokumentet dhe rrahën disa prej të punësuarve.
Po kush ishte Moon?
Sun Myung Moon është lindur me 1920, në provincën e Pjonjangut në Korenë e Veriut. Ai vdiq më 2012 në moshën 92 vjeçe.
Sun Moon ka themeluar Kishën e Bashkuar Evangjeliste në Korenë e Jugut në vitin 1954, e cila është rritur në një konglomerat shumëkombësh të biznesit, organizatave politike dhe kulturore. Me një fjalë “kisha e Moon” është grup politik i kryesuar nga zëvendësi i tij Pak Bo Hi, dhe ndër të tjera ka shpenzuar miliona dollarë në vitet e fundit në lobime antikomuniste në Amerikën Latine dhe në Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 1982 u themelua “The Washington Times” nga World News Communications, një konglomerat ndërkombëtar medial i lidhur me Moonin, cili gjithashtu zotëron gazeta në Korenë e Jugut, Japoni dhe Amerikën e Jugut, si dhe agjencinë e lajmeve United Press International.
“The Washington Times” ishte gazetë e preferuar për presidentin Ronald Reagan.
"Tani duke krijuar ‘Washington Times’ ne arritëm sukses edhe në gazetari. Ne tani kemi një ndikim të drejtpërdrejtë në Reaganin përmes gazetës”, kishte thënë Moon.
Më parë Moon kishte sponsorizuar fushatën e presidentit Nixon.
Moon ishte arrestuar në vitin 1946 nga zyrtarët e Koresë së Veriut nën akuzat për spiunazh për Korenë e Jugut. Iu dha një dënim prej pesë vjetësh në kampin e punës Hŭngnam. Pasi mbajti 34 muaj të dënimit të tij, Moon u arratis në vitin 1950, gjatë Luftës së Koresë, kur trupat e Kombeve të Bashkuara avancuan në kamp dhe rojat u larguan.
Në vitin 1994, Moon u ftua zyrtarisht në varrimin e Kim Il Sung, pavarësisht mungesës së marrëdhënieve diplomatike midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut.
Në vitin 2004, në një ceremoni më 23 mars në ndërtesën e Senatit, në Washington, DC, Moon e kurorëzoi veten me atë që ai e quajti "Princ i Paqes", në praninë e përfaqësuesve të shumtë të SHBA-së. Disa ligjvënës që ndoqën ceremoninë më pas thanë se ata kishin qenë të mashtruar sa i përket natyrës së ngjarjes.
Moonit iu dha Çmimi Kombëtar i Koresë së Veriut pas vdekjes!?
Kosova tashti edhe vetë është e prekur nga sindroma e koreanizimit, komb i ndarë në jugun neoliberal dhe veriun e pabindur neokomunist!
Kosova, një vend me institucione të kapura nga klani mafioz që e lajketon Thaçin, e ai e pranon përqafimin me ta duke vallëzuar me ujq që po i hanë dhe kockat vendit të tyre duke i shndërruar qytetarët në të mjerë fabulativë.
Së këndejmi urime për moskokëçarjen ndaj të mjerëve (Les Miserables) Kryeministër!
Të mjerët, nuk është fjala për filmin e Hollywoodit, që mori “Oscar”, por realiteti i vendit tuaj Kryeministër!
Të mjerët kasta juaj i konsideron të mundur në luftë dhe në paqe, prandaj ua zhvoshni lëkurat!
I kërcënoni, i shantazhoni dhe i rrihni jo vetëm qytetarët, por edhe zyrtarët, madje edhe reprezentët e shtetit, policët!
Urime Kryeministër që pas shkatërrimit të opozitës ua dole spastrimeve edhe në partinë tuaj…
Kështu e do puna, laureohet me “Doctor Honoris Causa” kryeministri i një vendi i cili është zhytur në krim të organizuar, korrupsion dhe ku nuk sundon drejtësia, por ligji i të fortit.
Kryeministri që akuzohet nga opozita dhe shoqëria civile për afërsi me “vëllazërinë” që bashkëpunon me krimin e organizuar dhe është e përfshirë në korrupsion dhe shantazhim të gjyqësorit, laureohet nga një universitet i një “vëllazërie” që në emër të “shpëtimit të njerëzimit” zhvat miliona dhe investon edhe në armatim!?
Pas skandalit “Grand” dhe atij rreth pasaportave biometrike, djemtë e Grabovcit terrorizojnë reprezentin e shtetit, kurse incizimet nga kamera e sigurisë i shkatërron policia e PDK-së, vijnë lajme për hajdutëri, gangsterizëm, gjithandej Kosovës; madje ndodh të përfshihet edhe garanti i sigurisë së shtetit, zyrtari i AKI-së…
Kosova e tillë po i plotëson rrufeshëm kriteret për liberalizim vizash dhe integrim në BE!
Ǒpamje brilante!!!
Gjatë javës, kur kryeministri i Kosovës mbante fjalim për paqe e mirëqenie globale në Seul, (madje i mbetej zhigu që t’ia blinte të birit një ‘Galaxy’) në shtëpi, këtu në Kosovë, raportet e agjencive botërore thonë se vendi i tij është i nënti në botë për nga varfëria!
Gjithandej lajme të zymta, neveritëse...
Që ta gërditin jetën!
Më 22 shkurt, në afërsi të Mensës së Studentëve në Prishtinë, ka pasur të shtëna me armë.
Më 23 shkurt, ministri i Rendit, Bajram Rexhepi, i pyetur nga gazetarët, nuk e ka dënuar rrahjen e policit Avni Selaci, nga djemtë e kolegut të tij të partisë, Adem Grabovci.
“Realisht në ato gjëra që u takojnë hetimeve dhe drejtësisë nuk kam çka të deklarohem”, ka thënë ai.
Më 23 shkurt në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në parkingun komercial të aeroportit pati të shtëna me armë të zjarrit gjatë të cilave ishin plagosur dy veta.
Më 24 shkurt vëllai i kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, nga PDK-ja, Fatmir Kilaj, ka detyruar një polic që ta nxjerrë revolen dhe t’ia drejtojë në ballë për ta mbrojtur kolegen e tij, Elviren. Fatmir Kilaj ishte duke vozitur veturën zyrtare të vëllait të tij dhe ishte duke shkuar për ta marrë atë në një dasmë.
Kilaj pasi e ka sharë policen e ka mësyrë edhe fizikisht. “Ti me guxu me ma shkru dënimin, mori vegë, shurrë…”. Por ka ndërhyrë polici Misin Krasniqi, duke e nxjerrë revolen dhe duke e arrestuar atë përkohësisht.”
Në veri sërish shpërthime bombash...
Në jug mjerim, hajni e banditizëm...
Në qendër rri e bën sehir, i palëkunduri “Doctor Honoris Causa”!?
Koha Ditore
Add new comment