Mëkatarë të lavdishëm

Postuar në 23 Maj, 2013 09:29
Fatos Baxhaku

 

Është një histori e gjatë ajo e lidhjes së shqiptarëve me fenë. Se sa të lidhur kemi qenë ne me besimet fetare, përse kemi katër besime dhe jo një kryesor, sikurse shumica e kombeve europiane, përse te ne konvertimi nga një fe në tjetrën u bë me aq lehtësi, përse ateizmi shtetëror u vendos me lehtësi marramendëse dhe egërsi në vitet ’60. Si këto pyetje ka shumë dhe nuk është as vendi dhe sidomos, as koha që të merremi me gjëra të tilla të thella, që në fakt duhet të jenë objekt diskutimi për filozofë, teologë, historianë. Puna është se, me sa duket, nga kjo lidhja jonë e paqëndrueshme me fetë dhe nga morali që buron prej tyre, ne kemi nisur jo vetëm të harrojmë ceremoni, lutje e falje, por edhe vetë thelbin e feve, që është ajo e gjykimit final. Fundi i një njeriu do të varet nëse ai ka bërë mirë, apo keq në këtë jetë. Pra gjëja më e parë e rëndësishme është që të mos mëkatosh. Dihet që e mira dhe e keqja shkojnë bashkë me njeriun. Puna është se sa mbizotëron e para mbi të dytën. Shën Pali thoshte se çdo njeri është potencialisht mëkatar dhe se është shumë e vështirë që një person, sidomos nëse e ka jetën e gjatë, të mos mëkatojë të paktën një herë në jetën e tij. Puna është se sa ai mundohet t’i lajë mëkatet që ka kryer. Dhe kështu, pak nga pak, vijmë në temën e vërtetë të këtij shkrimi.

Shumë herë, mbase me të drejtë, mbase me pa të drejtë, ajo që ne presim nga politikanët në përgjithësi është një detyrë fort e vështirë: është që të jenë më të mirë se ne. A ka mundësi kjo? A na kanë krijuar ne ata si popull, apo ne vetë i kemi nxjerrë nga gjiri ynë? Sigurisht që ata janë produkt i këtij populli mëkatar, i cili me të njëjtin zell që sheshoi kishat e xhamitë dhe dënoi klerikët, me po atë zell përdëllimtar tenton tani të bëhet një popull besimtar fals. Të njëjtët njerëz që, në prillin e 1985-s qanin me dënesë për humbjen e shokut Enver, të njëjtët njerëz morën përsipër të ndërtonin demokracinë shqiptare të llojit europian. Dhe kështu mëkatet, në vend që të laheshin e shpëlaheshin erdhën duke u trashur aq sa tashmë është e vështirë ta dallosh të mirën nga e keqja. Madje, mëkatarët ata më të shquarit janë bërë edhe të lavdishëm. Populli mblidhet entuziast para liderit që thërret me zë të ngjitur. Masa valëvitet, njësoj si një det në prag të një stuhie, flamuj valëviten gjithandej. Nuk ka më rëndësi se çfarë thotë lideri që kanë zgjedhur, fjalët para këtij spektakli i merr era, ato nuk kanë më asnjë vlerë, sikurse nuk ka më as mendimi. Ja se si shumë mëkatarë të vegjël përshëndoshin mëkatarin më të shquar, liderin  e tyre. Dhe e ndien veten të sigurt dhe ka arsye të ndihet kështu, sepse në çdo rast është i fituar, edhe po të jetë humbës më 23 qershor. Lideri mëkatar nuk e vret mendjen për ato që ka bërë në të shkuarën, ai shikon përpara, vetëm përpara.

Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që një mëkat i rëndë si ai i Gërdecit jo vetëm të mos ndëshkohet, por ndonjë prej mëkatarëve të atëhershëm të dalë e të jetë më i fortë se kurrë politikisht, moralisht, fizikisht. Vetëm te ne mund të ndodhë që shteti, qeveria të vrasë katër vetë të paarmatosur dhe askush të mos japë dorëheqjen. Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që media të transmetojë zëvendëskryeministrin duke ndarë shuka me euro dhe qeveria mëkatare të vazhdojë punën pa u trazuar, madje mëkatari kryesor i kësaj historie është tashti një nga më të lavdishmit.

Para disa ditësh, Berisha në Berat tha se secili votues duhet të votonte sipas bindjeve, sepse askush nuk do të cenohej nga votimi i tij majtas a djathtas. E tha se e beson vërtet kështu, apo se ashtu ishte një punë këtë e di vetëm ai. Gjithsesi, ishte një ndër të paktat mesazhe tolerance që janë dëgjuar prej tij kohët e fundit. Mirëpo, vetëm dje, një përfaqësues i PS në Durrës i kallëzoi publikisht formularët që atje u janë ndarë nëpunësve të shtetit dhe u kërkohet hapur që të mbledhin vota për PD-në. Kjo është një gjë e rëndë për një vend që pretendon të jetë demokratik dhe me një administratë të depolitizuar. Është një kthim absurd dhe i frikshëm mbrapa. Demokracia, ashtu sikurse kemi ëndërruar, është një sistem ku burra e gra të fortë e të ndershëm mbase edhe mëkatarë, por që dinë t’i lajnë mëkatet e tyre, ta thonë fjalën e tyre me guxim, të votojnë me bindje pa iu dridhur dora për këdo që ata duan pa pasur frikë për bukën e gojës. Në vend që të nxisim këtë rrugë, që gjithsesi do të jetë e gjatë, ne kemi vazhduar të prodhojmë servilë, dallkaukë, frikacakë, arrivistë, spiunë zyrash, me pak fjalë njerëz të vegjël. Ku janë ata burrat hijerëndë të Shqipërisë me të cilët na kanë mësuar për së vogli? Apo na kanë ushqyer vetëm me përralla dhe aq. Krijimi i kësaj fryme, që i zvetënon njerëzit deri në palcë është një tjetër mëkat i madh. Mbase i një njeriu të vetëm, mbase kolektiv, mbase pjesërisht kolektiv, por gjithsesi është një mëkat, që do kërkojë shumë kohë të lahet. Brezat e ardhshëm nuk do të na e falin. Nuk ka se si të ketë demokraci me njerëz zemërdridhur. As është parë e as dëgjuar ndonjëherë.

Një nga mëkatet më të rënda mortale është makutëria. Njeriu, që punon me punë të ndershme, i falet Perëndisë çdo ditë që ia ka caktuar cakun e tij, që i ka dhënë aq sa i ka dhënë falë punës me djersën e ballit. Ai nuk nxiton të pasurohet. E di se jeta është e gjatë ose të paktën kështu duhet marrë, e di se ajo që meriton vërtet në jetë shijohet shumë herë më tepër se e pamerituara. Për fat të keq, edhe një herë, por duket se jo për të fundit herë, shumë makutë e kanë kaluar provën e listave për deputetë. Nuk ka shumë rëndësi të përmendim emra, sepse ata e dinë vetë se cilët janë, sikurse i di dhe mileti që do t’i votojë ose jo.

Ky shkrim u mor shumë me mëkatin, pra me të ligën, thjesht ngaqë kjo është më e dukshme, më këmbëngulëse dhe, shumë herë, më dinake nga e mira. Për fat të mirë në politikë, por jo vetëm, në të gjitha fushat e shoqërisë ka ende plot gra e burra dinjitozë, nga ata që janë kundër mëkateve mortale, që e kanë treguar këtë me jetën e tyre, me vepra dhe me punë të ndershme. Nëse pesha e zgjedhjeve do të anojë nga votimi i ndershëm dhe me bindje të plotë për cilëndo parti, qoftë PD, PS, LSI, FRD… atëherë e kemi hedhur një hap të sigurt drejt larjes së mëkateve tona. Dhe, më besoni, po ta vrisni mendjen do të shihni se nuk janë edhe aq të pakta.

/shqip/

Comments

Submitted by Anton (not verified) on

<p>Edhe ti o Tosi je nje prej ketyre mekatareve qe duan te &#39;&#39;shplajne mekatet&#39;&#39;. Ti njihesh dhe je fantastik per ta thare nje shishe raki i ulur ne tryeza kafeneshe. Pra, lagi buzet me kete leng te &#39;&#39;bekuar&#39;&#39; dhe mos ju fut analizave per politikanet, me sa shoh po kerkon te behesh edhe teolog duke studiuar theniet e Shen Pavlles, here tjeter mos harro te cekesh edhe ndonje thenie te Agjia Terezes se lumnueme.</p>

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Tosi mekatari , na kujton neve&nbsp; trushkulur , sepse Zoti perdorka per &quot;vesh&quot; dhe per &quot;shtepi&quot; , kleriket dhe ndertesat e tyre ! Se pikerisht keta jane &quot;syte&quot; e Zotit dhe daullja e veshit te Zotit (prfterinje dhe hoxhallare apo kisha dhe xhamija) !</p><p>O Tosi &quot;mekatari&quot; , dhe i miri edhe djalli , flene brenda tek i gjalli ! Por si Europa Perendimore dhe Europa Juglindore , importoi me zell ne Shqiperi , pas 1990-tes , vetem djallin !</p><p>Kete punen e fese lere fare ! Feja eshte pikerisht djalli !</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.