Banka dhe kuptimi i ri i “skenarit grek”

“Të hysh në një vit elektoral me Berishën dhe ministrin e tij të Financave, Bode, pa monitorimin e FMN-së, është njësoj sikur të shkosh në zgjedhjet e vitit 1996, kur ishte president Berisha dhe ministër Financash Bode, pa monitorimin e OSBE-së”.
Deklarata e mësipërme është e kreut të Partisë Socialiste në opozitë, Edi Rama, bërë në fund të shtatorit 2008. Qeveria Berisha po përgatitej të shkëpuste marrëdhënien monitoruese me Fondin Monetar Ndërkombëtar, siç edhe ndodhi shumë shpejt. Rama premtoi se pas fitores elektorale të së majtës në 2009-ën, gjëja e parë që do të bënte qeveria e re ishte marrëveshja e re me FMN-në. Çfarë meraku kishte kreu i socialistëve? Vetë ai nuk mungoi asokohe ta shprehte:
“Largimi i FMN-së nga Shqipëria, mungesa e monitorimit të këtij institucioni do ta çojë vendin drejt një krize të madhe ekonomike dhe financiare”. Nga ana e tij, kryeministri Berisha pohonte se pikërisht rritja e cilësisë së jetesës dhe e të ardhurave për frymë të shqiptarëve, e mundësonin shkëputjen nga tutela e Fondit dhe ecjen me këmbët e veta të ekonomisë dhe financave. Për kundërshtarët, largimi i FMN-së ishte thjesht një liri veprimi e tij për të luajtur elektoralisht me financat dhe paratë publike pa i hyrë gjemb në këmbë.
Në 2009-ën socialistët nuk fituan, dhe si rrodhën ngjarjet e dimë të gjithë. Por faktikisht, gjëja e parë që bëri mazhoranca e re pas fitoren elektorale të 23 qershorit 2013, ishte rikthimi tek marrëveshja me FMN-në. Nëse Rama e kishte problem mungesën për një vit të mbikëqyrjes nga Fondi, çfarë mund të kishte ndodhur për katër vite?
Ajo që ka ndodhur është se qeveria Berisha ka marrë vazhdimisht borxhe dhe hua tregtare me interes të lartë, duke e rritur borxhin e jashtëm të vendit. Vetëm brenda një viti (të dhënat dolën në korrik 2012) rezultoi se borxhi i jashtëm ishte rritur me 15%, duke e çuar atë në 70% të GDP-së në fund të vitit 2013. Viti i fundit kur ky borxh ishte (të paktën zyrtarisht) brenda limitit të 60%-it të përcaktuar me kushtetutë, ishte 2010-ta kur shifra u vlerësua në 59%. Kuptohet që të dhënat vinin nga institucione ndërkombëtare, sepse INSTAT-i shqiptar fliste një herë në hënë, dhe atëherë kur fliste, rendiste vetëm suksese dhe arritje.
Kjo është njëra anë. Ana tjetër e mungesës së FMN-së, që nga janari 2009 e përfundoi misionin e saj, ishte mungesa e monitorimit dhe kontrollit në Bankën e Shqipërisë. Zor se në rrethana të tjera do të bënte vaki në BSH që ky institucion “të blinte” me prokurim të drejtpërdrejtë hotel Dajtin për 30 milionë dollarë nga shteti, thënë ndryshe për të mbushur disi arkën e zbrazur.
Po ashtu, lënia qëllimisht e paplotësuar e strukturës administrative të Bankës, duke nisur nga zv.guvernatori i dytë i munguar, dhe shndërrimi i BSH në një agjenci punësimi qeveritar të profilit të lartë, e shndërroi “pavarësinë” e institucionit në mungesë flagrante llogaridhënieje. Ne dimë vetëm të dhëna fragmentare mbi largimin jashtë shtetit të valutave nga bankat e nivelit të dytë drejt kompanive mëmë, një gardh që duhej vendosur nga Banka Qëndrore. Ne dimë që zyrtarisht, BSH ka ruajtur parametrat e inflacionit dhe, në kushtet e krizës globale, ka ulur me kujdes dhe lezet normën e interesit. Por nuk dimë se deri sa dhe në ç’masë ka shtypur para në kartmonedhën lek kjo Bankë, me sebepin e zëvendësimit të parave të dala jashtë qarkullimi, dhe në këtë pikë ku ndodhemi, nuk dimë gjendjen reale të parametrave financiare.
Sigurisht, mungesa e llogaridhënies së ish kreut të Bankës Qëndrore dhe Këshillit të cunguar Mbikëqyrës, kishte një kufi. Dhe ky kufi ishte kryeministri i kaluar. Këmbëngulja e Berishës që guvernatori të mos prekej nuk është e rastësishme. Po ashtu, paralajmërimet e tij mbi njëvjeçare për realizimin e një “skenari grek” në ekonominë shqiptare, nëse vijnë në pushtet socialistët. Njëri krah i këtij kumti prej Kasandre, është afërmendsh fakti që Berisha më mirë se kushdo, e dinte mirë se çfarë ekonomie dhe financash po u linte pasardhësve, por kjo është ana e dukshme dhe e kuptueshme e historisë. A mos është ana tjetër, ajo e errët që pritet të zbardhet tani, pikërisht gropa e vërtetë që është krijuar në Bankën e Shqipërisë, përtej 7 milionë dollarëve të vjedhur? Sa është vjedhur realisht dhe ku kanë shkuar paratë, çfarë kanë financuar? A mos është BSH një kuti Pandore që Berisha sugjeron të mos e hapim, se nuk e përballojmë dot atë që do gjejmë brenda?
Në këtë fazë të zhvillimeve ka vend për gjithçka, me përjashtim të panikut. Kryeministri Rama ka hedhur hapa shumë të kujdesshëm përgjatë gjithë këtyre momenteve, dhe po kështu nuk duket të nxitohet për emrin e pasardhësit në krye të Bankës Qëndrore. Nuk do ishte çudi që ky proces të shtyhej disi në kohë, dhe siç thonë burime autoritare në fushën e financave, në BSH të vijë përkohësisht një ekspert bankar me profil ndërkombëtar, për të skanuar paanësisht dhe me skrupulozitet gjendjen reale.
Ndërkaq, ajo që mësojmë nga kjo histori është se nuk dimë të nxjerrim mësime. Berishën e bëmë dy herë “nuse”, dhe ai e “nusëroi” po njësoj këtë vend.
Dita
Add new comment