LGBT dhe dashuria e frytshme

Këto ditë më tërhoqën vëmendjen dy lajme në të përditshmet shqiptare. Lajmi i parë kishte të bënte me kërkesën e personave LGBT për të ndryshuar Kodin e familjes,që sigurisht hap mundësinë edhe te adoptimit të fëmijëve. Në një shkrim të gazetës “Mapo”, të Vladimir Karajt, personat me orientim seksual të ndryshëm nga ai heteroseksual, të mbledhur në të ashtuquajturin “komunitet LGBT” (paradoksalisht qysh në vetëquajtjen “komunitet” lind një lloj diskriminimi e prandaj unë do t’i quaj thjesht persona), kanë “provokuar” faktorët politikë në këto ditë parazgjedhore mbi qëndrimin e tyre ndaj problemeve të këtyre personave. Faktorët politikë nuk janë përgjigjur, pasi e dinë se marrin një kosto me elektoratin konservator e tradicional shqiptar. Sigurisht, politikanët duke mos u përgjigjur apo duke qenë evazivë i ruhen jo vetëm elektoratit shqiptar, por edhe lobeve të Komunitetit Europian e të Shteteve të Bashkuara. Por mos të merakosen shoqatat LGBT se me pak këmbëngulje dhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë e të fondacioneve për një shoqëri të hapur edhe politikanët shqiptarë do të thyhen.
Kësaj here niveli i kërkesave ishte ngritur pak. Sigurisht edhe vetë shoqatat që gjenden pas këtyre personave e dinë mirë se nuk mund t’ia arrijnë menjëherë këtyre gjërave. Për ta edhe thjesht hapja e debatit e diskutimi është një arritje. Nuk janë naivë e nuk po bëjnë beteja trashamane. Edhe thjesht një dokumentar filmik në krye të të cilit duket si shkarazi pamja e Kishës Katolike në Rrugën e Kavajës e kalon si pa ndjerë idenë se kush janë ‘armiqtë” e komunitetit LGBT. Por kjo është një ideologji, pasi unë që jam pjesë e Kishës katolike nuk jam armik i askujt, përveçse i të keqes. Thjesht po verifikohet ajo çka më parë, në ndonjë artikull tjetër, kisha parashikuar, se detajet juridike të ligjit të mosdiskriminimit do të çonin dalëngadalë në qëndrime apo së paku kërkesa të natyrave të qarta praktike me pasoja në statusin e personave. Në shprehjen, të sjellë nga njëri prej përfaqësuesve LGBT, thuhet se duhet vënë dorë në Kodin e familjes dhe termat ‘martesë’ apo ‘familje’ të mos përdoren në mënyrë diskriminuese. Sigurisht, këtë gjë e kërkojnë te politika, pasi kur ajo të vijë në pushtet, me anë të kartonave ndryshon ligjet. Është pothuajse e kotë të shpreh mendimin e Kishës katolike, pasi ai është një qëndrim tashmë i ditur dhe i qartë edhe nga vetë anëtarët e LGBT. Megjithatë, në një plan juridik, qysh në krye të herës me ligjin e mosdiskriminimit janë lënë hapësira për një ndryshim të mundshëm tëKodit të familjes. Ndoshta jo në këtë legjislaturë që po vjen, por sigurisht kësaj do t’i arrihet, me hapat me të cilët po përparon kjo kauzë në Europë (aktualisht realiteti francez po e ngacmon shumë debatin). Me kalimin e viteve LGBT, në emër të një shoqërie të hapur, që po kthehet në një dogmë moderne, do të fitojnë kauzën e adoptimit të fëmijëve dhe kauza të tjera. Megjithatë, kurrë nuk do të fitohet një kauzë ndër këto kauza të shumta, rritja e një fëmije me fjalët nanë dhe babë, pasi, nëse do heqin fjalët burrë dhegrua nga Kodi i familjes nuk kanë më kuptim as fjalët nanë dhe babë. Do të përdoren ndoshta emërtimet prindi A e prindi B, që shkojnë mirë në emërtimin e sendeve, në matrikulimin e shtazëve, në identifikimin e të burgosurve nëpër burgjet diktatoriale, por jo për personat. Përmbysja e këtij rendi të natyrshëm, të shkruar në thelbin e njeriut, do të ketë pasoja të mëdha në jetën e njerëzve, po aq sa kanë divorcet, abuzimet me fëmijët, aborti etj. Sado të përpiqet të shprehet një atësi (brenda një çifti homoskesual) ajo kurrë nuk është e mundur pa një amësi dhe anasjelltas. Amësia ka kuptim dhe merr trajtë vetëm pranë një atësie. Është si të thuash që nuk e ke idenë e fjalës ngrohtë nëse nuk ekziston e ftohta.
Megjithatë, kjo është një betejë e humbur edhe për ata që, nga ana tjetër, me forcën dhe dhunën e diskriminimit, duan të injorojnë ekzistencën e personave LGBT. Është e papranueshme të bësh sikur personat LGBT nuk ekzistojnë e në mënyrë të dhunshme të diskriminohen, por gjithashtu është po aq e papranueshme për arsyen të thuash martesë ndërmjet dy burrash apo dy grash, të pranosh adoptimin e fëmijëve nga dy persona homoseksualë.
Ndërkohë, ka edhe një lajm të dytë e këto janë lajme shprese që lindin shpesh në periferitë e metropoleve tona, larg shijeve estetike të kodifikuara në ligje. Janë ato histori që lindin si shenja, që nuk zënë faqet e para të gazetave, por që janë një buzëqeshje e Zotit në jetën e botës. Në një të përditshme, pothuajse një javë më parë, u tregua një histori në jugun e thellë shqiptar. Një grua e cila kishte lindur një fëmijë të dëshiruar, të kërkuar, megjithë këmbënguljen e mjekëve të këndej dhe andej kufirit, se ajo për shkak të një problemi në zemër nuk mund të lindte fëmijë. Emrin fëmijës ia kishte ngjitur Angjelina, si për të thënë se ishte një engjëll i dërguar prej qiellit. Në intervistën e dhënë gruaja në fakt fliste me terma të tillë, dhuratë, Zoti, plotësimi i dëshirës etj. Dëshira për një fëmijë e një çifti i cili edhe pse nuk i kishte kushtet optimale shëndetësore dhe ekonomike, triumfoi. Triumfoi duke u realizuar në trupin e një gruaje nga dashuria me burrin e saj, e vetmja dashuri e mundshme, e frytshme.
MAPO
Add new comment