SHBA përpiqet të kufizojë dëmet pas sulmit në Pakistan

Pas sulmit ajror të NATO-s ndaj dy pikave ushtarake pakistaneze në zonën kufitare pakistanezo-afgane, SHBA po përpiqet të kufizojë dëmet. Ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton ka telefonuar me homologen pakistaneze Hina Rabbani Khar, tha një zëdhënës i qeverisë amerikane. SHBA-ja e mbështet edhe më tej partneritetin amerikano-pakistanez. Ndërkohë Pakistani ka njoftuar se do të rishqyrtojë çdo lloj bashkëpunimi me SHBA dhe NATO-n.
Në sulmin e të shtunës në mëngjes (26.11.) u vranë rreth 28 ushtarë pakistanezë, shumë prej të cilëve ishin në gjumë, siç bënë të ditur oficerët e mbijetuar. Duke reaguar ndaj incidentit të rëndë, Pakistani bllokoi linjat e furnizimit të NATO-s për trupat në Afganistan dhe i kërkoi SHBA-së të zbrazë brenda 15 ditësh bazën ushtarake ajrore Shamsi, nga e cila kryhen sulme me avionë pa pilotë kundër talibanëve. Komandati i përgjithshëm i NATO-s në Afganistan, gjenerali amerikan John Allen, premtoi një hetim të hollësishëm.
Deutsche Welle
Add new comment