Davos, BE-SHBA optimistë për tejkalimin e krizës

Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Mario Draghi dhe sekretari amerikan i Thesarit, Timothy Geithner deklaruan dje se eurozona ka realizuar një zhvillim të shkëlqyer drejt zgjidhjes së krizës debitore, ndërkohë që përforcohet edhe më shpresa për një marrëveshje të shpejtë rreth shlyerjes së një pjese të borxhit grek.
Geithner lavdëroi angazhimet e Evropës për daljen nga kriza duke theksuar se ''masat e fundit kanë përforcuar kredibilitetin e valutës së përbashkët evropiane''.
Geithner tha se ekzistojnë tregues se pjesa më e keqe e krizës kaloi. Ai vlerësoi se Evropës i duhet një mur mbrojtës i fuqishëm dhe i besueshëm duke theksuar mundësinë se SHBA dhe vendet në zhvillim do të japin për FMN-në më shumë mjete për financimin e angazhimeve për shpëtimin e anëtareve të eurozonës.
''Janë ndërmarrë masa kundër shumë faktorëve që para katër viteve shkaktuan krizën financiare'', theksoi nga ana e tij, Draghi.
"Zhvillimi i arritur është i shkëlqyer. Në krahasim me periudhën e para pesë muajve, eurozona sot është krejtësisht ndryshe", shtoi ai.
Sipas tij një nga shkaqet kryesore për krizën është mungesa e rregullave si dhe mangësitë në sektorin bankar.
Ballkanweb.com
Add new comment