Protestojnë për rrugët, banorët e Gabricës: Nuk na ndihmojnë

Postuar në 19 Shkurt, 2012 10:58

Banorët e fshatit Gabricë të Komunës Bicaj të Rrethit të Kukësit kanë protestuar sot për shkak të mungesës së komunikimit me komunën së cilës i përkasin apo me qytetin e Kukësit. Në këtë protestë paqësore të organizuar në rrugën që të çon në qendër të fshatit të tyre e që aktualisht është i bllokuar nga bora, ata kanë kërkuar hapjen sa më parë të rrugës në mënyrë që të kenë mundësi të furnizohen me ushqime e medikamente mjekësore.

"Kemi dalë se jemi të izoluar prej tre javësh nga bora e madhe për të hapur rrugën për të çuar furnizim në shtëpi",-thotë një banor. 

"Jemi pa furnizim, pa asgjë. Të sëmurët nuk kemi me çfarë të lëvizim. Rrugën kanë nisur ta hapin prej pesë ditësh dhe ja sa punë kanë bërë",-shprehet një tjetër. 

Në këtë protestë banorët i ka mbështetur edhe deputeti i zonës, Asllan Dogjani i cili ka deklaruar se rruga duhet të hapet sa më parë, pasi duhet të intensifikojnë punën për hapjen e çdo rrugë komune, fshati apo qyteti.

"Shikojeni se si është situata. Nuk ka nevojë të flasim shumë ne. Ketu nuk ka asnjë metër borë, por shikoje. Çfarë të bëjnë këta të shkretët",-tha ai. 

Si banorët e kësaj zone janë edhe shumë të tjera të Qarkut të Kukësit, të cilët prej më shumë se një muaji janë të izoluar nga dëbora dhe nuk komunikojnë fare me qendrat e komunave apo qytetet e Kukësit, Krumës, Bajram Currit. Deri tani janë hapur vetëm rrugët që të çojnë në qendrat e komunave,ndërsa ato që lidhin fshatrat me njëri-tjetrin janë ende të bllokuara, çka detyron banorët që për orë të tëra të ecin në këmbë.

 

Albanian Screen

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.