11 mars, një vit pas tërmetit që tronditi Japoninë

Postuar në 11 Mars, 2012 07:24

 Tërmeti dhe cunami rrezikuan të zhysnin Japoninë në recesion dhe rimëkëmbja ekonomike u bë e vështirë nga ndërprerja e energjisë si pasojë e krizës bërthamore që shkaktoi një pasiguri të madhe.
Katastrofa e 11 marsit shkatërroi verilindjen e vendit dhe dëmet për ekonominë e tretë në botë arritën në qindra miliardë dollarë.
Katër prefekturat më të prekura përbënin rreth gjashtë deri në shtatë për qind të aktivitetit ekonomik të arkipelagut, sipas vlerësimeve të ''Barclays Capital''. Për prodhimin industrial, dëmet ishin të dukshme.

Grupet e mëdha si gjiganti i automobilave ''Toyota'' dhe grupi elektronik ''Sony'' ndërprenë prodhimin në qendra të shumta. "Pa dyshim, ekonomia u kontraktua për një kohë të shkurtër për shkak të përpjekjeve për ofertën dhe kërkesën'', theksoi Takehiro Sato, ekonomist tek ''Morgan Stanley''.
Pas një rritjeje ekonomike të mbështetur në disa tremujorë që prej përfundimit të recesionit nga viti 2008-2009, Prodhimi i Brendshëm Bruto u ul me 1,3 për qind në nëntor-dhjetor 2010, në ritëm vjetor. Para tërmetit, shumica e ekonomistëve parashikuan një rritje ekonomike në tremujorin e parë 2011. 

Por me katastrofën, ekonomia rrezikoi të vazhdonte uljen deri në muajin qershor. 
Konsumatorët u bënë më të kujdesshëm dhe rritën kursimet e tyre nga frika për ditë të vështira në të ardhmen. Kjo ndikoi në uljen e ndjeshme të konsumit. 
Dëmtimi i infrastrukturës pengoi përveç të tjerash furnizimin me energji, me ujë dhe prodhimin në disa sektorë. Transportet hekurudhore, shumë të rëndësishme në megapolin e Tokios u ndërprenë me javë të tëra pas tërmetit. 
Rreth 11 nga 15 reaktorë bërthamorë në Japoni janë mbyllur që prej tërmetit katastrofik që goditi pjesën verilindore të vendit dhe të paktën katër prej tyre e rinisën më punën.
Përballur me një ulje të prodhimit të energjisë, kompania e ngarkuar me rajonin e kryeqytetit, mushkëria ekonomike e vendit, ndërpreu herë pas here dhe në mënyrë të lokalizuar energjinë për të shmangur një ''black-out'' e plotë.
Ajo parashikoi se mund ta ndiqte këtë politikë deri në mes të muajit prill, gjë që detyroi ndërmarrjet e sektorëve përkatës të mbyllen përkohësisht.
Më e keqja, problemet e rënda të shkaktuara nga centrali bërthamor i Fukushimas krijuan një situatë të paparashikueshme, si frika e tregjeve dhe treguesi i ''Nikkei'' në Bursën e Tokios pësoi një ulje prej 10,22 për qind në një javë.
Një katastrofë bërthamore e këtyre përmasave do të kishte pasoja të konsiderueshme dhe me një ndikim për një kohë të gjatë në besueshmërinë e konsumatorëve, eksportetet e ushqimeve dhe turizmin në arkipelag.
Agjencia e treguesit financiar ''Moody's'' parashikoi se situata në Japoni do të përmirësohej tremujorin e tretë, kur përpjekjet për rindërtimin, financuar nga fondet publike do të kontribuonin në mbështetjen e rritjes ekonomike.
Kjo përpjekje e madhe rrezikoi padyshim të rëndonte në mënyrë kolosale borxhin publik, që përbën 200 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.