Hakerët shqiptarë, prokuroria zbulon si vidhen fjalëkalimet

Vendimi i gjykatës për dy adoleshentë nga Laçi
Sipas prokurorisë, Samed Ferizi dhe Gerald Dalti janë anëtarë të grupit “Albanian Cyber Army”
Kur ishin vetëm 15 vjeç, dy fëmijë kanë mundur të vjedhin dhjetëra fjalëkalime në rrjetet sociale në internet, duke praktikuar aftësitë e tyre në përdorimin e kompjuterëve, por kjo i ka rrezikuar shumë, pavarësisht se kanë përfituar nga mosha e vogël. Bëhet fjalë për Gerald Daltin dhe Samed Ferizin, të cilët u kapën më shumë se një vit më parë në Kurbin pas një operacioni special që policia kishte ndërmarrë ndaj tyre, duke i pasur të dyshuar për vjedhje kolosale parash nëpërmjet llogarive bankare. Në vendimin përfundimtar që ka dhënë gjykata për dy të miturit, që sot janë 16-vjeçarë, shpjegohet me detaje sesi ata kanë arritur të vjedhin fjalëkalime të ndryshme në internet, ndërkohë që mendohet se janë pjesë e grupit “Albanian Cyber Army”.
Vendimi
Sipas vendimit të gjykatës, procedimi ka filluar mbi bazën e informacionit që ka pasur Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit se të pandehurit Samed Ferizi dhe Gerald Dalti, janë anëtarë të grupit “Albanian Cyber Army”, i cili ka publikuar video, foto dhe imazhe të këtij grupi në internet, nga të cilat rezulton se ky grup përbëhet nga disa anëtarë. Ndër pjesëtarë të grupit rezultojnë dhe dy të pandehurit, që njihen me pseudonimet 1NJ3CTOR–4L, i cili është Samed Ferizi dhe N3G4T1VY, që i përket Gerald Daltit. Të dhënat e publikuara në internet, janë këqyrur me procesverbalet përkatëse, nga të cilat ka rezultuar se ky grup ka sulmuar faqe të ndryshme në internet brenda dhe jashtë Shqipërisë, si në Kosovë, Serbi dhe Greqi. Nga hetimi ka rezultuar se Samed Ferizi dhe Gerald Dalti janë pikërisht përdoruesit që mbajnë pseudonimet e lartpërmendura dhe kanë kryer aktivitet kriminal në fushën kompjuterike. Me vendim të organit procedues është autorizuar kryerja e vëzhgimeve dhe përgjimi ambiental i tyre. Nga raportet e vëzhgimit nuk është konstatuar ndonjë e dhënë konkrete për veprimtarinë kriminale të këtyre të miturve, por është konstatuar fakti se ata shpenzojnë kohë të gjatë në banesat e tyre, duke krijuar bindjen se aktivitetin kriminal e kryejnë nëpërmjet përdorimit të kompjuterëve në banesat respektive. Në këto kushte, Gjykata e Tiranës ka vendosur lejimin e kontrollit të banesave të tyre, ku ka siguruar edhe provat e nevojshme për ta.
Vjedhja e kodeve
Menjëherë pas sekuestrimeve, policia ka zbuluar sesi ata vidhnin fjalëkalimet e përdoruesve të internetit që më pas i përdornin për qëllime kriminale. Sipas shpjegimit, ata kanë përdorur adresën e internetit www.000webhost.com. Në lidhje me këtë adresë, nga këqyrja e të dhënave kompjuterike, rezulton se ajo administrohet nga kompania “SoftLayer Technologies Inc”, me adresë në Dallas, Teksas, SHBA. Kjo kompani jep pa pagesë për përdorim të çfarëdoshëm, faqe ueb për personat e interesuar. Këto faqe ueb përdoren nga kriminelët kompjuterikë, ose siç njihen ndryshe hakerë, për të krijuar faqe ueb fillestare të falsifikuara të rrjeteve sociale si “Facebook”, Twitter” etj., me qëllim për të mashtruar përdoruesit e tyre, për të vjedhur adresat e llogarive të tyre, si dhe fjalëkalimet përkatëse. Konkretisht kjo quhet metoda “Phishing”, e cila e përkthyer në gjuhën shqipe nënkupton fjalën “Peshkim”. “Phishing” është akti i tentimit për kopjimin e informacionit si “emri i përdoruesit”, “fjalëkalimet” etj., nëpërmjet kamuflimit si entitete ligjore gjatë komunikimit elektronik në adresa interneti popullore dhe sociale, adresa për kryerjen e ankandeve etj., të cilat përdoren kryesisht për të joshur publikun që nuk dyshon. Mesazhet elektronike “Phishing” mund të përmbajnë lidhje interneti me adresa, të cilat janë të infektuara me virus kompjuterik. Kjo metodë kryhet kryesisht nëpërmjet mesazheve elektronike të rreme apo komunikime “chat” dhe shpesh i drejton përdoruesit të japin detajet e tyre te një faqe interneti e falsifikuar, të cilat kanë pamjen e atyre legjitime. Kjo nënkupton që nëse “viktima” klikon, automatikisht sistemi lidhet me adresën e emërtuar nga ky person, e cila ndodhet nën adresën origjinale www.000webhost.com, me qëllim që ajo të shkruajë në fushat përkatëse adresën e tij të postës elektronike apo emrin e përdoruesit, si dhe fjalëkalimin. Këto të dhëna ruhen automatikisht në një të dhënë “TXT” (tekst), sipas konfigurimit të bërë nga vetë pirati kompjuterik. Kjo e dhënë “TXT” shkarkohet herë pas here prej tij për të parë dhe marrë të gjitha detajet e viktimave që kanë klikuar në adresën e tij dhe kanë shkruar adresën e postës elektronike dhe fjalëkalimin përkatës.
Ble.Gi.
Rasti
Mashtronte për poker dhe vidhte fjalëkalimet
Në harddiskun e kompjuterit të Samed Ferizit janë gjetur të dhëna, të cilat vërtetojnë se ai ka përdorur pikërisht metodën “Phishing” për të vjedhur të dhënat personale të shumë individëve. Konkretisht, në kompjuter është gjetur një e dhënë kompjuterike, e cila është rikonstruksion i një faqeje interneti me adresë 000webhost.com/members, e cila mund të jetë vizituar ose të ketë qenë e ruajtur në kompjuter, në të cilën dallohet që përdoruesi i emërtuar “a7448333”, ka pasur të krijuar një faqe interneti me adresën texas-free-chips.host22.com. Kjo adresë rezulton të jetë përdorur nga Samed Ferizi për të vjedhur llogari të ndryshme në rrjetin social “Facebook”.
SHQIP
Add new comment