Bllokohen 7 kamionë të tjerë me krom, nisin hetimet në Bulqizë

Operacioni në Lezhë dhe në Durrës. Ndjekje penale dy sipërmarrësve
Po gjatë këtij operacioni, Policia e Lezhës ka bllokuar edhe katër kamionë me lëndë drusore
Ardian Bushi
Foto ilustruese
Shtatë kamionë të tjerë me krom janë sekuestruar dje në Mirditë dhe Durrës, ndërkohë që forca të shumta të uniformave blu kanë zbarkuar në Bulqizë për të luftuar kontrabandën e këtij minerali në vend. Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, nga Komisariati i Mirditës u ndaluan dhe sekuestruan tre kamionë me krom, ndërkohë që në Portin e Durrësit u sekuestruan katër të tjerë.
Lezhë
Policia e Lezhës deklaroi se ka vijuar edhe dje aksioni i saj për bllokimin e kontrabandës së mineralit dhe lëndës drusore, e cila kalon transit në këtë qark. Sipas burimeve zyrtare mësohet se në vijim të operacionit të organizuar, strukturat e Drejtorisë së Policisë të Qarkut të Lezhës kanë bërë bllokimin e shtatë kamionëve, nga të cilët tre ishin të ngarkuar me krom ndërsa katër të tjerët me lëndë drusore. Bllokimi i këtyre mjeteve është bërë nga Komisariati i Mirditës në hyrje të fshatit Vaushqez gjatë kontrollit të ushtruar në aksin rrugor Rrëshen–Milot. Sipas burimeve të policisë mësohet se nga veprimet e para hetimore, rezulton se për materialin e ngarkuar me krom dhe lëndë drusore, drejtuesit e mjeteve nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm ligjor. Ata shpjeguan se materiali shoqërohej me faturë të thjeshtë shoqërimi, ku nuk është shënuar sasia e mallit dhe as vlera e tij. Mësohet se minerali u përket disa subjekteve të biznesit, të cilat operojnë në Rrethin e Kukësit dhe Tropojës, për të cilat janë referuar materialet në Prokurorinë e Lezhës.
Durrës
Një tjetër operacion është organizuar nga Policia e Durrësit, ku janë dërguar për ndjekje penale dy sipërmarrës. Policia e qytetit bregdetar deklaroi se ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin I. U., 54 vjeç, banues në Tiranë, administrator i kompanisë “Vllazëria Minerals Albania”, pasi nga peshimi i dy kamionëve të kësaj kompanie, përkatësisht me targa TR 0993 A dhe TR 6081 F, rezultoi totali prej 74,16 tonësh krom, ndërkohë që fatura tatimore e shoqërimit të mallit tregonte një ngarkesë prej 43 tonësh krom. Sipas policisë, filloi procedimi penal në gjendje të lire për shtetasin Z. B., 54 vjeç, banues në Tiranë, administrator i kompanisë “Auto Star Sh.p.k”, pasi nga peshimi i dy kamionëve të kësaj kompanie, me targa TR 5819 U dhe TR 7748 S, rezultoi sasia prej 76 tonësh krom, ndërsa fatura tatimore shoqëruese e mallit tregonte një ngarkesë prej 56 tonësh krom. Në këto kushte, për të dyja rastet u bë sekuestrimi i mineralit dhe materialet procedurale të përpiluara iu përcollën Prokurorisë së Durrësit për veprat penale “fshehje e të ardhurave” e “falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”.
Policia
Bazuar në operacionin e ndërmarrë në të gjithë vendin, policia ka dërguar ekspertët e saj edhe në Bulqizë. Baza ligjore në të cilën policia është duke punuar për kontrabandën e kromit mbetet kontrolli i dokumentacionit përkatës që duhet të ketë firma që operon në këtë treg. 26 kamionë të bllokuar në 24 orët e fundit kanë pasur vetëm një faturë shoqërimi të mallit, por ku nuk është e shënuar në bazë të ligjit sasia dhe vlera e tij. Kjo për policinë, përveç fshehjes së të ardhurave dhe mospagimit të tatimit, është edhe falsifikimi i dokumentit. Policia ka referuar të gjithë rastet në prokuroritë e rretheve dhe i ka dërguar firmat dhe administratoret e tyre për ndjekje penale. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, thotë se do të shtojë edhe më shumë forca në dispozicion për të frenuar përfundimisht këtë kontrabandë, e cila sipas tij, dyshohet t’i ketë shkaktuar dëme të mëdha buxhetit të shtetit dhe ekonomisë së vendit. Policia vazhdon të mbledhë informacionet në lidhje me këtë aktivitet dhe kryen shërbime 24-orësh në akset kombëtare, kryesisht në veri të vendit, ku dhe ka dyshime më të mëdha se po kryhet kontrabanda e kromit. Policia do të rrethojë të gjitha akset rrugore që lidhen me Bulqizën, ku është edhe pjesa më e madhe e këtij aktiviteti kriminal.
Pak ditë më parë, ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, urdhëroi një aksion të gjerë kontrolli në zonën krommbajtëse të Bulqizës. Pas urdhrit, një grup i posaçëm pune është duke kaluar në sitë të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitet në këtë zonë, ku po verifikohet për ligjshmërinë e tyre, por edhe përmbushjen e kushteve të kontratave që këto subjekte kanë me shtetin, përfshirë sigurinë në punë dhe planin e investimeve. Ministria e Energjetikës ka bërë të ditur se pas përfundimit të aksionit, grupi i punës do të hartojë një raport të hollësishëm mbi situatën në këtë zonë, mbi të cilat pritet që ministria do të marrë masat përkatëse, duke ndaluar subjektet e paligjshme dhe gjobitjen apo anulimin e koncesioneve për ato subjekte që nuk kanë përmbushur kontratën. Aksioni i policisë për bllokimin e kamionëve me krom, që kishin dokumentacion të mangët nisi dy ditë më parë, kur në Qarkun e Lezhës u bllokuan 19 kamionë, 15 prej të cilëve ishin të ngarkuar me krom, ndërsa 4 të tjerë me inerte. Ky operacion u ndoq nga afër edhe prej ministrit të Brendshëm, i cili shoqërohej me dy drejtuesit më të lartë të policisë.
Kromi
Për mineralin e kromit, të ngarkuar në këta kamionë nuk disponohej dokumentacioni i nevojshëm ligjor dhe shoqërohej me faturë të thjeshtë, ku nuk ishte shënuar sasia e mallit dhe as vlera e tij.
Shqip
Add new comment