Meta: Shqetësimi për armët nuk mund të injorohej

Postuar në 19 Nëntor, 2013 03:19

Meta – Nuk mund të themi se ka qenë shqetësim i pabazë. Në këto dy drejtime mendoj se qeveria nuk mundet kurrsesi t’i injoronte këto shqetësime
Kryeparlamentari Ilir Meta e cilëson vendimin e marrë nga kryeministri Edi Rama si një vendim ku triumfoi demokracia në vend. I ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, kryeparlamentari theksoi se shqetësimi për armët kimike kishte baza reale. “Mendoj që ky shqetësim vjen edhe për shkak se në të kaluarën, ne kemi pasur dhe probleme siç ishte rasti më flagrant i Gërdecit. Nuk mund të themi se ka qenë shqetësim i pabazë. Në këto dy drejtime mendoj se qeveria nuk mundet kurrsesi t’i injoronte këto shqetësime. Përveç se kapacitetet tona nuk kanë qenë plotësisht të afta apo të sigurta për të realizuar një operacion i tillë. Unë mendoj se ky ishte një vendim i natyrshëm për të gjithë ecurinë e zhvillimit të ngjarjeve”, deklaroi Meta. Kryeparlamentari theksoi se ka pasur konsulta të mjaftueshme me Kryeministrin Rama për këtë çështje. “Ne kemi pasur komunikime të herëpashershme. Mua m’u bë e ditur që ka pasur një interes për të përfshirë edhe Shqipërinë në një përpjekje të tillë ndërkombëtare. Përpjekja ka qenë publike. Natyrisht, vullneti ka qenë një angazhim i Shqipërisë në përputhje me mundësitë që ajo mund të kontribuojë, por jo jashtë mundësive të saj. Në kafenë me ambasadorin Arvizu dhe kryeministrin Rama është folur pak për çështjen e armëve”, theksoi Meta. Kreu i LSI-së komentoi dhe qëndrimin e mbajtur nga ana e PD-së, duke u bashkuar në mënyrë indirekte me komentet e ambasadorit Arvizu, se partia më e madhe e opozitës, kreu i saj, Basha e kaloi vijën e kuqe. “Nuk është një shpjegim që mund ta jap unë, por opozita e teproi, e ekzagjeroi me spekulimet e saj. U përpoq të krijonte një kapital politik, në një kohë që duhet të ishte shfaqur me qëndrime më institucionale dhe të kishte kontribuuar për qetësimin e situatës, jo për agravimin e saj”, theksoi Meta. Gjithashtu ai komentoi dhe deklaratën e Arvizu, që kishte hedhur dyshimet nëse Basha ishte realisht kryetar i PD-së. “Gjersa unë u ula në karrigen ngjitur me Berishën, besoj se e kam kuptuar kush e drejton PD-në”, tha Meta, duke komentuar negociatat me demokratët për mosprishjen e seancës. Kreu i LSI-së ka komentuar gjithashtu dhe nismën e qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje, ku përplasja më e madhe është pallati që mendohej se është i të afërmve të liderit të PD-së. “Për mua duhet të zbatohet ligji për gjithçka që ka të bëjë me çdo qytetar të vendit, pavarësisht se çfarë lidhjeje mund të ketë njeri apo tjetri. Pra, ligji duhet të zbatohet në mënyrë të paanshme dhe jashtë ndikimeve partiake. Kjo nuk është një çështje që mund të adresohet, sepse as nuk e kam për detyrë, as nuk kam kompetencën për të bërë këtë gjë, as nuk kam letrat për të bërë këtë vlerësim dhe as nuk mund të marr atribute që u takojnë institucioneve të tjera, përfshirë edhe ato të pavarura”, theksoi Meta. Kryeparlamentari ka folur gjithashtu dhe me marrëdhëniet me Presidentin e vendit Nishani. “Për mua është e rëndësishme të theksoj bashkëpunimin midis institucioneve. Në këtë drejtim, mendoj se zgjedhja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ishte shprehje e vullnetit të mazhorancës së re për të bashkëpunuar me presidentin dhe për të konsoliduar ato institucione që kanë shprehur angazhimin. Sigurisht që nuk mund të jenë të gjithë të kënaqur me vendimet e kësaj gjykate. Ne kemi qenë të hapur të bashkëpunojmë edhe duke respektuar të drejtën e presidentit për të përmbushur të drejtën dhe detyrimet e tij kushtetuese. Them se po përpiqet t’i përmbushë sa më mirë”, shtoi Meta. Për debatin për zgjedhjet në Korçë, kryeparlamentari theksoi se “për pretendimin që ka ngritur opozita, unë i kam dhënë mbështetje Prokurorisë për të hetuar rastin. PD duhet të jetë e kënaqur për këtë zgjedhje, pasi përsëritja e zgjedhjeve në Korçë do të kishte një rezultat edhe më të thellë”.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.