Miratohen kreditë e strehimit për 679 banorë, shtyhet vendimi për Bulevardin

Këshilli Bashkiak miratoi dje dhënien e kredisë së strehimit për 679 qytetarë të Tiranës dhe shtyu vendimin për shpronësimet e Bulevardit të Ri. Në seancën e djeshme nuk munguan debatet, për shkak se banorët e zonës ku po ndërtohet bulevardi protestonin jashtë Bashkisë, në kërkim të dëmshpërblimit. Këshilli Bashkiak miratoi edhe dhënien e kredisë së strehimit. Nënkryetari Bozdo kërkoi që lista të miratohet pasi ka kaluar në çdo hallkë të Bashkisë. Lista e miratuar për dhënien e kredisë përfshin 679 qytetarë. Përfaqësuesit e majtë kërkuan që kreu i Bashkisë, Lulëzim Basha të merrte pjesë në mbledhje dhe pasi të diskutohej në Këshill kjo çështje, të dilte dhe të diskutonte me banorët që do të preken nga shpronësimet, për të rënë në konsensus. Por nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo tha se shpronësimet do të bëhen sipas ligjit. “Po të kthesh kokën nga veriu, ajo zonë është e errët nuk ke çfarë të shikosh. Hapja e bulevardit do ta ndryshojë. Duhet të gjendet një zgjidhje për shpronësimet. Besoj se Bashkia do gjejë një mënyrë për të vlerësuar një pjesë të truallit që ata zotërojnë. Duhet të kompensojnë një pjesë të shumës”, –kanë deklaruar përfaqësuesit e djathtë. Ata vlerësojnë se shifra 200 euro që Bashkia u ka propozuar banorëve nuk është shumë larg vlerës që duhet të kërkojnë pronarët.
Nënkryetari i Bashkisë, Eno Bozdo u shpreh se shpronësimet do të bëhen në përputhje me ligjin. Ai kërkoi edhe një fond shtesë prej 160 milionë lekësh për zgjatimin e Bulevardit të ri. “Nuk e bëjmë shpronësimin në kundërshtim me ligjin. Kemi vetëm 160 milionë lekë dhe janë vetëm sa për të nisur punimet”,- deklaroi Bozdo. Por nga përfaqësuesit e majtë u kërkua që të shtyhet vendimi për fondin 160 milionë lekë, të kërkuar nga Bashkia. Sipas tyre, çështja duhet shtyrë derisa të jepet informacion i plotë mbi këtë çështje. Nga ana tjetër, kryetari i ri i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi ka debatuar me këshilltarin e djathtë, Ferdinand Pone, për rendin e ditës. Këshilltarët e mazhorancës propozuan shtimin në rendin e ditës edhe të një pike tjetër, e cila kërkonte ndryshimin e proporcionit në komisione, për shkak të ndryshimit të mazhorancës.
Këshilltari i djathtë ka konstatuar se ka qenë “i papranueshëm diskutimi i konstituimit të komisioneve kur nuk është në rendin e ditës”, dhe për këtë ka kërkuar 5 minuta pushim, gjë që nuk është pranuar nga Dalipi. Kryetari i Këshillit Bashkiak e hodhi në votë dhe rendi i ditës i kërkuar sipas kërkesës së anëtarit të majtë në Këshillin Bashkiak, Gazheli, u miratua me shumicë votash. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak ishin rreth 11 projektvendime që pritej të shqyrtoheshin. Kjo është mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak pas tejkalimit të ngërçit dhe zgjedhjes së kryetarit, të pranuar nga të gjitha palët.
Mapo
Add new comment