“Moody’s”: Përkeqësohen financat e Shqipërisë

Agjencia e vlerësimit e vë theksin te borxhi i lartë dhe ngadalësimi i rritjes ekonomike
Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit “Moody’s”, ndonëse e ka lënë në vlerësimin B1 Shqipërinë, e ka vënë theksin te risku i përkeqësimit të treguesve fiskalë të vendit. Sipas kësaj agjencie gjigante, gjendja e financave publike të Shqipërisë është përkeqësuar, duke vënë në rrezik vlerësimin e borxhit publik nëse qeveria nuk do të arrijë të ndalë përkeqësimin e treguesve fiskalë. Në një raport të publikuar një ditë më parë, “Moody’s” paralajmëron se vlerësimi i borxhit të qeverisë shqiptare tashmë është i kushtëzuar nga sfidat e mëdha fiskale të vendit, borxhi publik në rritje dhe ngadalësimi i fortë i ekonomisë, që pritet të vazhdojë edhe gjatë viteve në vijim.
Raport pesimist
Raporti cilësohet si më negativi që nga koha kur agjencitë ndërkombëtare filluan të analizojnë financat e Shqipërisë. Kjo bazuar dhe në përkeqësimin e financave të vendit gjatë 2012-s dhe rritjen e borxhit publik më të lartë se sa vendet e tjera, që kanë të njëjtin vlerësim si Shqipëria me gradën B1, e cila nënkupton nivel të ulët besueshmërie. Sipas gjigantit të financave, sfidat e borxhit publik të Shqipërisë rëndohen edhe më shumë nga struktura e brishtë e financimit, për shkak të afatit të shkurtër të maturimit, bazës së ngushtë të atyre që investojnë në bono të qeverisë, por edhe ekspozimi i lartë i sistemit bankar dhe vetë qeverisë ndaj valutave të huaja. Ndër pikat e forta të financave, “Moody’s” vlerëson rezistencën e ekonomisë shqiptare ndaj krizës botërore të borxheve për shkak të stimulit monetar dhe fiskal. Po kështu, agjencia thotë se vendi mund të përfitojë nga marrja e mundshme e statusit kandidat në dhjetor dhe ndërtimi i gazsjellësit TAP. Aktualisht, “Moody’s” e vlerëson borxhin e qeverisë shqiptare me B1. Sipas saj, ky vlerësim balancon pritshmëritë për statusin e vendit kandidat në BE me borxhin e lartë publik dhe dobësitë në tregun e brendshëmfinanciar. Por sipas kompanisë, ky vlerësim tashmë është i rrezikuar, nëse qeveria në afatshkurtër do të dështojë për të ndalur përkeqësimin e treguesve fiskalë. Ky mund të jetë një sinjal negativ për investitorët dhe institucionet kredituese të qeverisë shqiptare, të cilët mund të ngurrojnë të investojnë apo japin borxhe, për shkak të riskut të dështimit apo moskthimit të tij.
Blerja e letrave me vlerë
Ajo çka u theksua dhe nga Banka e Shqipërisë ishte dhe orientimi i investimeve e parave të lira të bankave në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, duke bërë që yield-i i letrave me vlerë të bonove të binte me shpejtësi, me rreth 2.5 pikë përqindjeje, nga gati 7% që ishte në dhjetor 2012. Kjo tendencë është ngadalësuar ndjeshëm në tremujorin e tretë të vitit.
Zëri “investime në letra me vlerë” u rrit me rreth 31 miliardë lekë (9.5%) në fund të gjashtëmujorit 2013 në raport me dhjetorin 2012, në tremujorin e tretë ky indikator ra me rreth 1%, apo gati 3.5 miliardë lekë. Ishte tërheqja e “Raiffeisen” ajo që ka dhënë ndikimin kryesor, me bankën më të madhe në vend, që e ka ulur ekspozimin në letrat me vlerë të qeverisë me rreth 8 miliardë lekë me bazë tremujore.
SHQIP
Add new comment