Fitorja e së ardhmes

Postuar në 25 Qershor, 2026 15:48
Skerdilajd Zaimi

 

Kanë kaluar 25 ditë proteste të përnatshme në Tiranë dhe diasporë dhe tashmë mund të hidhet një vështrim më i ftohtë mbi ritmin politik të krijuar dhe qasjet e përgjithshme ndaj saj.

Së pari, protesta e Flamingove ka kapërcyer të gjitha paragjykimet fillestare dhe është shndërruar në ngjarjen kryesore politike të Shqpërisë për qershorin. Nga ana fenomenologjike ajo sugjeron diçka të re në peizazhin politik dhe sociologjik shqiptar, pasi si akt kundërshtimi nuk takohet me asnjë protestë të mëparëshme: nuk është lokale, nuk është partiake, nuk ëstë strikt mjedisore dhe tanimë as kazuale.

Protesta në zhvillim ka tipare të qarta kombëtare në kuptimin se në të tubohen të gjithë shqiptarët që kanë arsye të mos jenë më dakord me këtë qeveri, qeverisjes si model dhe këtë klasë politike. Duam apo nuk duam Protesta e Flamingove është forumi i ri për demokracinë në Shqipëri, jo ky si një akt intelektualësh të ndriçuar, por si reagim qytetarësh të frymëzuar nga çdo pikëpamje nga nevoja për drejtësi dhe baraza reale jurdike, politike dhe shansesh.

Së dyti, duke marrë shtysë nga e para, vlen të shihet me kujdes mënyra sesi partitë tradicionale po i afrohen asaj. Duke hequr tri ditët e para që u përshkruan nga gafa politike të Berishës dhe Ramës, nga mosintuitizimi i asaj që po fermentohej, në ditët në vijim kemi një lloj aspekti tjetër të veprimit.

I pari është qëndrimi kategorik, ultimativ, përçmues i kryeministrit, që është kthyer në politikë të qeverisë dhe shumicës ndaj Protestës. Dhe po vazhdon. Ky qëndrim definon qysh tani të ardhmen e Partisë Socialiste si një parti që e ka mbyllur ciklin historic në formën e sotme dhe herët apo vonë do të përballet me nivelin strukturor të oksidimit të vetes. Askush më nga ata që është në protestë, apo me protestën, nuk sheh te kjo parti veçse fatkeqësinë e këtij vendi, nga e cila duhet shpëtuar. Një nga arsyet themelore që po duket qartë, i këtij qëndrimi është një lloj ndërgjegjeje klasore që udhëheq kryeministrin dhe të vetët në përçmimin e hapur ndaj plebit që proteston. Më mirë se kaq nuk mund të ndihmohej Shqipëria që sheh sot se ata që janë votuar urrejnë atë që kanë votuar.

I dyti është qëndrimi i PD-së dhe Sali Berishës. Ky i fundit duhet thënë se ka kuptuar në kohë dhe me ftohtësi atë që po ndodh dhe ka vendosur të ndryshojë kurs. Në dallim nga ditët e para për marrjen e drejtimit të protestës, apo nevojën për të ulur thirrjet për burgosjen e tij krahas Ramës, ka kaluar në frekuencë tjetër: mbështetje e protestës, pjesëmarrje në të, dëgjesë e saj, miratim i matur i disa kërkesave, përherë me synimin që kjo valë të qëndrojë aktive, të bymehet deri në masën e duhur kritike deri në rrëzimin e Edi Ramës. Duhet të pranojmë se Sali Berisha ka provuar shqisa politike shumë të holla se Edi Rama. Ai ka lënë që imazhi i kryeministrit të diskreditohet nga një protestë qytetare, të cilën e sheh në distancë, nga reagimet impulsive të z. Rama, ndërkohë që vala në rritje e opozitarizmit favorizon Berishën deri në momentin kur kërkesa kryesore është largimi i Edi Ramës.

Në një aspekt perspektiv, protesta ka mposhtur dy partitë kryesore që gjenden sot në zgrip të narrativës së tyre, e sfiduar nga historia e dështimeve dhe korrupsionit të përbashkët, me dallimin se PD-ja ka ende një shans: ta reformojë veten. Ta ndryshojë lidershipin, të japë garanci se Sali Berisha nuk do të jetë më kali që tërheq karrocën. Nuk është puna për të poshtëruar dikë, apo për të vënë në diskutim legjitimitetin e një të zgjedhur, pasi i tillë është edhe Rama, por për të kapur të ardhmen që po dikton ndryshimin shumë shpejt dhe me një regjistër politik krejt ndryshe. Ndryshimi në PD- është aktualisht shërbim ndaj kauzës së opozitarizmit, ndërkohë që largimi i Edi Ramës, është e vetmja rrugë që sistemi aktual politik të arrijë të ruajë diçka.

Përndryshe, protesta si element oksigjenimi i demokracisë e ka kryer detyrën e vet historike; ajo ka zgjuar dy partitë kryesore nga letargjia e status quosë së bipartizanizmit për të lexuar me detyrim një shoqëri ndryshe. Që e refuzon këtë model. Ajo nuk ka ende një narrativë të qëndrueshme, as edhe një subjekt përfaqësues, por ajo ka propozuar një ligjërim që ende nuk është normativ, por ka mbërthyer imagjinatiën e një pjese të madhe dhe kjo është fitore strategjike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.