BE thirrje për eleminimin e shpejtë të arsenalit kimik sirian

Këshilli i përbashkët i ministrave të Jashtëm e atyre të Mbrojtjes së BE-së konkludoi me “thirrjen për eliminim të shpejtë të arsenalit kimik sirian”, si dhe për zgjidhjen politike në vend për t’i dhënë fund “kërcënimit të paprecedent të rajonit”. Në këtë mbledhje ishte i pranishëm dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Pas refuzimit të Tiranës, i pyetur nëse është diskutuar mbi mundësinë e transportimit të produkteve kimike siriane te një prej vendeve të Aleancës, ku krahas Shqipërisë, SHBA-ve, Kanadasë e Turqisë, bën pjesë edhe shumica dërrmuese e vendeve anëtare të BE-së, Rassmussen u shpreh se ai nuk priste që Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike të kërkonte ndërhyrjen e NATO-s. “Ky është dhe një vendim kombëtar. Por, unë vërej me kënaqësi se puna për eliminimin e armëve kimike siriane po përparon mjaft mirë, nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara dhe OPCË. Unë mund t’ju informoj se ne po e ndjekim situatën, edhe gjatë Këshillit me Rusinë, dhe nesër do të kemi një përmbledhje nga OPCË, si dhe të rejat më të fundit për sa i takon punës së Kombeve të Bashkuara për eliminimin e armëve kimike siriane. Nuk mendoj se do të paraqitet ndonjë kërkesë. Qëllimi është të informohemi me të rejat e fundit dhe, deri tani, ne nuk kemi marrë asnjë kërkesë për ndihmë”, tha Anders Fogh Rassmussen, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Mapo
Add new comment