Të rejat që mësuam nga Wikileaks: 2-Qëndrestarët

Pasi kabllogramet e ambasadës amerikane në Tiranë për Departamentin e Shtetit ‘rrodhën’ drejt publikut në sajë të Wikileaks-it, një prej pyetjeve të shumta, me siguri ka qenë: si do të reagojnë personazhet e tyre, domethënë politikanët shqiptarë. I pari ka qenë Sokol Olldashi i përmendur si ministër i lidhur me trafiqet në një telegram të ambasadës amerikane. Olldashi ka kërkuar verifikimin e autenticitetit të kabllogrameve të rrjedhura nga Wikielaks duke shtuar se ato nuk i ngjajnë me stilin shtetëror, sidomos të një shteti serioz si SHBA. Më pas ministri i Transporteve ka shtuar se gjuha e tyre i ngjan me thashetheme ballkanike. Reagimi i dytë ka ardhur nga Presidenti Topi, i cili në fakt, në stilin e zakonshëm të tij, nuk ka qenë reagim. Me një fjalë Topi i ka shmangur komentet mbi kabllogramet. I treti, sërish në kampin e demokratëve po të mbajmë parasysh se Topi rrjedh prej andej, ka ardhur reagimi i shefit të qeverisë Berisha. Ndryshe nga ironia e Olldashit e gjuha e drunjtë e Topit kryeministri, në stilin e tij, “i ka rënë me top”. Ai i ka krahasuar kabllogramet me pasqyrën e të përditshmeve shqiptare. Nëse leximi është i drejtë ai u ka bërë një nënvlerësim të dyjave: kabllogrameve të ambasadës dhe shtypit duke nënkuptuar se materialet janë një riciklim i dyanshëm.
Edi Rama, në krahun e të majtëve, ka reaguar me anë të një eidtoriali në një radhë të përditshmesh. Pyetja është: a do të ketë një reagim serioz? A do të dalë dikush nga klasa politike shqiptare që, ose të fajësojë ambasadën amerikane për këtë riciklim thashethemesh dhe të shfajësojë klasën politike, ose të ketë guximin të thotë që gjërat kështu janë në këtë vend? Merrini ose lërini!
L.A.
Add new comment