Portret: Hugo Chavez

Postuar në 06 Mars, 2013 03:30

I lindur në vitin 1954, Hugo Rafael Chavez Frias ka thënë se dëshira e tij për të luajtur basketboll në ligën më të madhe kombëtare e ka nxitur të regjistrojë akademinë ushtarake. Ai i është bashkuar ushtrisë më 1975 dhe ka udhëhequr një njësi elite parashutiste. Në kohën sa ka qenë në ushtri, Chavez u është bashkuar oficerëve të tjerë për të formuar fshehurazi Ushtrinë Popullore Çlirimtare dhe ka nisur të takojë liderët e opozitës marksiste. Më vonë, ndërkaq, ka formuar Lëvizjen Revolucionare Bolivariane. Karriera ushtarake e Chavezit, një pjesë të së cilës e ka kaluar duke luftuar kundër kryengritësve majtistë, ka zgjatur 17 vjet. Në vitin 1992, ai ka udhëhequr një grusht-shtet të pasuksesshëm ushtarak, pas të cilit është dënuar me dy vjet burgim, së bashku me mijëra mbështetës. Më vonë, Chavez është falur.
Pas lirimit, ai ka formuar një parti të majtë politike, të quajtur Lëvizja e Republikës së Pestë (MVR), ndërsa fitoren bindëse në zgjedhjet presidenciale të vitit 1998 e ka arritur falë pakënaqësisë së madhe të qytetarëve me elitën “e korruptuar” politike. Ai ka qenë presidenti më i ri i zgjedhur në historinë e Venezuelës.

Kushtetutën e ka “transformuar” duke i siguruar vetes autoritet më të madh, ndërsa emrin e vendit e ka ndryshuar në Republika Bolivariane e Venezuelës. Ndryshimi i kushtetutës në referendum ka marrë 88 për qind të mbështetjes së publikut. Chavez, i cili shpesh është shfaqur në publik me bluzë të kuqe, ka kritikuar kapitalizmin. Pasurinë nga nafta e ka përdorur për t’iu ndërtuar banesa qytetarëve me të ardhura më të ulëta, duke u bërë kështu hero për të varfrit e Venezuelës. Mik politik ka pasur ish-udhëheqësin libian, Muammar Qaddafi. Duke folur në vitin 2009 së bashku me të, Chavez ka thënë se ata dy ndajnë një vizion të përbashkët. “Jemi të vetëdijshëm për faktin se jemi duke shkruar një faqe të re të historisë. Ne jemi duke ndryshuar historinë, duke u konfrontuar me imperializmin, borgjezinë, moszhvillimin…”, ka thënë Chavez.
Gjatë sundimit të tij, marrëdhëniet midis Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë të tendosura. Si kritik i ndërhyrjes së SHBA-së në Irak, Chavez e ka quajtur “djall” presidentin George W. Bush, gjatë një fjalimi në Kombet e Bashkuara më 2006. “Dje, djalli ka ardhur këtu. Drejt e këtu. Zonja dhe zotërinj, nga kjo tribunë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, të cilit unë i referohem si djall, ka folur sikur të kishte në pronësi botën”, ka thënë Chavez. Duke u bërë aleat me kritikë të tjerë të SHBA-së, të tillë si Vladimir Putini i Rusisë, Chavez ka udhëhequr përpjekjet për të bashkuar liderët majtistë të Amerikës Latine në një Union të Vendeve të Amerikës Jugore. Ka udhëhequr Venezuelën qysh në vitin 1999. Për mandatin e dytë është zgjedhur më 2006, ndërsa për të tretin në tetor të 2012-ës. Sipas ligjit në Venezuelë, zgjedhjet e reja tani duhet të mbahen brenda 30 ditësh. Chavez ka lënë prapa vetes gruan dhe pesë fëmijë. (REL)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.