Dhoma amerikane e tregëtisë “nxin” situatën e biznesit në Shqipëri

Një sondazh (Indeksi vjetor i Biznesit, që mat perceptimin e anëtarëve të dhomës amerikane të tregëtisë për klimën e biznesit në Shqipëri, në të cilën morën pjesë 105 kompani nga 215 që janë anëtarë gjithsej) arrin në konkluzionin se më shumë se gjysma e këtyre bizneseve, 58 për qind, konsiderojnë se klima e biznesit në Shqipëri, gjatë vitit 2012, ka qenë jo e favorshme ose aspak e favorshme, ndërsa pritshmëritë për vitin 2013 janë akoma më të ulëta.
Të anketuarit perceptuan si të lartë apo shumë të lartë, nivelin e burokracisë qeveritare në masën 66%, ekonomisë informale në 64 për qind, monopolin dhe konkurencën e pandershme 58 për qind dhe korrupsionin 57 për qind. Marrëdhënia me autoritetet doganore, autoritet tatimore, ministritë dhe qeverinë lokale janë perceptuar si pozitive, ndërkohë që zbatimi i ligjit dhe i rregulloreve u perceptuan në të shumtën e rasteve si negative.
Për 74 për qind të anëtarëve të Dhomës amerikane të Tregtisë, performanca e ekonomisë shqiptare në vitin 2012 ka rënë ose ka rënë ndjeshëm, ndërsa për 56% të tyre kjo prirje do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2013. 45 për qind e kompanive u përgjigjën se kërkesa për mallra e shërbime ka pësuar rënie në 2012, gjë që do të vazhdojë edhe këtë vit. E ndryshme paraqitet situata në kompanitë eksportuese, ku kërkesa është rritur, trend që me sa duket do të vazhdojë edhe në 2013.
Për 51% të kompanive është bërë e vështirë ose shumë e vështirë për të gjetur mundësinë e financimit, situatë kjo që do të vazhdojë edhe në vitin që vjen, ndërsa për 50 për qind të të anketuarve është e vështirë ose shumë e vështirë për të gjetur staf vendas të kualifikuar.
Marrë nga Top-channel
Add new comment