Sponsori i Eurovizionit, një ndihmës skandaloz i diktaturave postsovjetike - shkruan media suedeze

TeliaSonera është nën hetime, pasi ka paguar qindra miliona dollarë ryshfete për regjimin uzbek, në këmbim të qasjes në tregun e telefonave mobilë të këtij vendi. Ajo po ashtu akuzohet se u ka siguruar qeverive në Azerbajxhan, Bjellorusi, Gjeorgji, Kazakistan, Taxhikistan dhe Uzbekistan qasje të pakufizuar në regjistrimet e telefonave privatë – informacione të cilat janë përdorur për të bastisur dhe ndjekur penalisht kundërshtarët politikë.
Joachim Dyfvermark është një gazetar hulumtues. Programi i tij “Uppdrag Granskning”, i cili transmetohet nga televizioni publik i Suedisë SVT, ka raportuar gjerësisht mbi aktivitetet e TeliaSonera-s në ish-Bashkimin Sovjetik. Ai thotë se kompania në fjalë (me shumicë në pronësi shtetërore të Suedisë dhe Finlandës) ka bërë “marrëveshje të neveritshme” për të hyrë në tregun fitimprurës post-sovjetik.
“Ata kanë marrë pjesë në krime kundër të drejtave të njeriut. Kanë paguar me para regjimin. Kanë marrë licencën falë marrëveshjeve me regjimet, duke i dhënë inteligjencës së sigurisë qasje totale në konsumatorët e tyre, 24 orë në 7 ditë”, thotë Dyfvermark.
Një seri e programit “Uppdrad Granskning”, e transmetuar në prill të vitit 2012, ka dokumentuar se si filialet e TeliaSonera-s në ish-Bashkimin Sovjetik kanë siguruar regjistrime të menjëhershme të telefonave dhe të internetit për shërbimet e sigurisë sw kwtyre vendeve. Isabel Sommerfeld një aktiviste suedeze e të drejtave të njeriut, e cila udhëton shpesh në Bjellorusi dhe ka parë arrestime brutale të protestuesve opozitarë thotë se TeliaSonera “është një kompani joetike në ditët e sotme”.
“Ata vazhdojnë të bashkëpunojnë me regjimet që shtypin popujt. Vendet tona nuk duhet të ndihmojnë diktaturat”, - citohet ajo në një artikull të Daisy Sindelar, që mund të lexohet edhe në shqip në portalin online të radios amerikane Europa e Lire. a.n.
Add new comment