Rënia e fortë ekonomike në tremujorin e tretë të vitit të kaluar e vë qeverinë në një sprovë të vështirë për vitin 2014

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, rritja e ekonomisë ka qenë negative, duke zbritur ne -2.26 për qind. Përveç bujqësisë të gjithë sektorët e tjerë kanë regjistruar një aktivitet negativ. Ky është i treti tremujor, që nga viti 2009 kur ekonomia zbret në terren negativ. Tremujori i tretë i vitit të kaluar ishte edhe tremujori i kalimit të pushteti nga PD te socialistët. E gjithë kjo periudhë e ndërmjetme duket se ka ndikuar ndjeshëm në aktivitetin ekonomik të vendit.
Rënien më të madhe, me 10 përqind, e ka patur sektori i ndërtimit, më i prekuri nga efektet e krizës ekonomike.
Me 4.6 përqind u ul, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë, grupi i industrive i ndikuar nga rënia e fortë e industrisë prodhuese.
Grupi tregti, hotele dhe restorante pati një rënie prej 3,4 % në tremujorin e tretë të vitit 2013 Në këtë grup, sipas INSTAT-it, rënia me rreth 13 % e degës së hotele dhe restorante dhe degës së tregtisë me 1,6% patën ndikimin më të madh.
Edhe aktiviteti i transportit në tremujorin e tretë të vitit 2013 u ul me 4,2 % krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Ndërsa grupi i Postë dhe Komunikacionit u shfaq me rënie prej 1,2 % në tremujorin e tretë të vitit 2013. Rënie me të lehtë, me 0.5 përqind, regjistroi grupi i shërbimeve, ndërsa bujqësia ka njohur një rritje pozitive me 2.9 përqind..
Rënia e fortë e tremujorit të tretë rrezikon të kompromentojë edhe parashikimet e qeverisë për një rritje prej 1.3 përqind për 2013.
Për 2014 parashikohet që rritja ekonomike të ketë një përshpejtim të lehtë, por për shkak të borxhit të lartë, rreziqet janë shtuar.
Zh.
Add new comment