Deputetja socialiste tërhiqet për arsye shëndetësore. Dhe siguron se s’ka patur asnjë presion

Një dorëheqje nga mandati i deputetit për arsye shëndetësore është realizuar sot. Deputetja e Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, Merjeme Delishi, ka dhënë dorëheqjen nga mandati i saj, të cilin e ka marrë pas dorëheqjes së ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, më datë 26 dhjetor. Në një komunikim në News 24 Delishi deklaroi se dorëheqja e saj vjen vetëm për arsye shëndetësore. Ajo theksoi se nuk mund ta përballojë dot ndjekjen rregullisht të seancave plenare dhe punën e përditshme në komisione parlamentare, pasi është e detyruar dy herë në javë të kurohet dhe të bëjë dializë. KQZ e ka zëvendësuar sot mandatin e Delishit, pas kërkesës së Kuvendit për të plotësuar vakancën. Sipas Kodit Zgjedhor, ajo është zëvendësuar nga një deputete tjetër femër, Mirela Neli (Syku), që është kandidatja e fundit në listën e PS-së në këtë qark. Por Delishi ka parë të arsyeshme edhe të sqarojë se “nuk kam pasur asnjë lloj presioni, dorëheqja ishte vetëm për arsye shëndetësore. Do kontribuoj për PS e qytetarët e mi nëse do jem më mirë”. Ky sqarim, mesa duket pas aludimeve se ngarkesën e Kuvendit ajo e ka ditur që më parë, ndaj s’kish pse e pranonte mandatin.
a.k
Add new comment