Ambasadori Gaiani : “Atmosfera në Evropë nuk është e lehtë. Në raportet dypalëshe nuk duam monopolin, por besojmë se populli shqiptar shikon nga Perëndimi”

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani ka përcjellë në një intervistë për gazetarin Artur Nura në A1 Report disa konsiderata të tijat mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Së pari, Gaiani, ka bërë një apel të tërthortë për orientimin e Shqipërisë në politikën e Jashtme, e cila i ka dhënë një theks të posaçëm marrëdhënieve me Turqinë. Në këtë drejtim ambasadori italian ka deklaruar se “ne e kemi shumë për zemër marrëdhënien me Shqipërinë. Jemi të lumtur nëse Shqipëria zhvillon marrëdhënie kaq intesive edhe me shtete të tjera. Ne nuk duam të kemi monopolin e raporteve, por ne besojmë se Shqipëria dhe e gjithë popullata e shikon drejt Perëndimit si rrugën e vetme të saj dhe Italinë po ashtu si partner themelor...”. Një përgjigje që vjen në lidhje direkte me çështjen e statusit të vendit kandidat, refuzuar në muajin dhjetor. Në këtë pikë, përfaqësuesi i Italisë ka pranuar se situata në Evropë nuk është e lehtë dhe se realisht ka disa grupe që bëjnë presion. “Në Europë ka zhvillime dinamike dhe forcat e ekstremeve kanë marrë më shumë zhvillim edhe për shkaqe konkrete, të krizave financiare dhe ekonomike. Përsëris që atmosfera në Europë nuk është e lehtë. Nuk është e thjeshtë dhe kemi rritje të këtyre grupimeve. Shpesh ka ndodhur që edhe qeveritë të marrin sukseset dhe t’ia lënë Europës problemet dhe gjërat që nuk kanë ecur si duhet. Por grupimet që e mbështesin rritjen e Europës ku edhe personalisht bëj pjesë janë shumë më të fortë dhe mbështetur se ato grupe. Sigurisht ka vështirësi, por unë vazhdoj të mbetem optimist për rastin e Shqipërisë. Europa ka treguar se di t’i kalojë krizat dhe të bëjë hapa të mëdha përpara”, ka thënë ai.
s.z
Add new comment