Probleme serioze me lirinë e medias në Maqedoni. Trafik influence me reklamat qeveritare, deri te largim kryeredaktorësh për arsye politike

Postuar në 13 Shkurt, 2014 10:47

Në Maqedoni problemet me medien duket se janë shumë të thella, qoftë në raportet e politikës me to, qoftë edhe në planin e marrëdhënieve etnike. Kështu sot, disa faqe online njoftojnë për një seri problemesh: “Zhurnal” bën të ditur se problem ndër më kryesorët është publikimi i reklamave qeveritare, i tillë që ka sjellë edhe një reagim të OSBE-së. “Unë nuk mund të tregoj nëse shpenzimi është ligjor ose jashtëligjor. Mundem vetëm të them se kjo qeveri shpenzon shumë para të cilat sigurisht janë në masa milionëshe. Kjo është praktika dhe stili i punës së tyre, i cili do të vazhdon edhe më tej, ndërsa fillimet i ka vite më parë. Kjo do të thotë se edhe më tej do të vazhdon me mënyrën e tillë të reklamimit dhe të blen disa media të caktuara. Do të thotë se këta mediume duhet të punojnë për qeverinë pa marrë parasysh nëse duan ose jo. E gjithë kjo sjell deri te çrregullimi i tregut të mediave në vend”, shprehet ish-kryetari i Këshillit për Radiodifuzion Mirçe Adamçevski. Nga ana tjetër në faqen e revistës “Shenja” njoftohet për mbylljen eventuale të “Art Kanal”, një televizion lokal në Strugë që transmeton në gjuhën shqipe. Kjo si pasojë e humbjes së të drejtës për shkak të mos shlyerjes së detyrimeve ndaj operatorit ONE, ndonëse çështja po negociohet. Më teje akoma, portali “Portalb” citon kryetarin e shoqatës së gazetarëve, Naser Selmani, i cili ka reaguar për largimin e kryeredaktorit të së përditshmes “Nova Makedonia”, Zoran Dimitrovski. “Tani më është e qartë për të gjithë pse Maqedonia gjendet në vendin e 123 në indeksin e Reporterëve pa kufij për liri të shprehjes”, thuhet në deklaratën e tij për të shtuar më tej se: “Presim sqarim nga pronari i gazetës, cilat janë shkaqet për largimin e kryeredaktorit Zoran Dimitrovski. Gazetaria është profesion publik dhe vlerësoj se udhëheqësit kanë për obligim të japë një sqarim për publikun e posaçërisht për lexuesit e gazetës. Me këtë do të largohen të gjitha dyshimet rreth arsyeve të vërteta për ndryshimin e kryeredaktorit”. Sipas tij vendimi për largimin e kryeredaktorit lidhen me zgjedhjet presidenciale, pra ka prapavijë politike. Për të gjithë ata që punojnë në media, mund të kuptohet fare lehtë se e gjithë gama e problemeve të medias në Maqedoni ngjan si dy pika uji me problemet në Shqipëri, duke hequr gjithsesi solidaritetin e kolegëve, të paktën kështu si përcillet përmes deklaratave.

s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.