Matteo Renzi, e shkuara e hershme e njeriut të majtë që e duan të djathtët

Matteo Renzi është padyshim njeriu i ditës në Itali. I mandatuar për formimin e qeverisë së re, Renzi nisi rrugëtimin e tij në nivelet më të larta të politikës italiane duke shënuar një rekord, jo vetëm për vendin e tij por edhe për vetë Bashkimin Europian. Nëse negociatat do të finalizohen me sukses, Renzi do të jetë kryeministri më i ri në historinë e Italisë, duke thyer rekordin e Benito Musolinit.
Po ashtu, mosha e tij 39 vjeçare e bën atë si kryeministrin me moshën më të re në Bashkimin Europian. Nëse për shumë persona lëvizja e tij drejt karriges kryeministrore përbën një surprizë, për të duket se është krejtësisht e kundërta, pasi për të kjo është një ide e nisur shumë herët dhe e finalizuar me sukses. Mediat italiane nuk kanë ngurruar këto ditë të nxjerrin detaje të hershme nga jeta e tij, duke i paraprirë zhvillimeve politike që sinjalizonin ardhjen në krye të qeverisë, të atij që në Bashkimin Europian mund të cilësohet edhe si “baby premier”.
“Një sportist i apasionuar që, për të mos humbur ndeshjen, është në gjendje të largohet duke marrë topin me vete nëse nuk i pëlqen përbërja e skuadrave” shkruan një prej të përjavshmeve italiane. Të tjera, nuk kanë ngurruar të gërmojnë në vitet e hershme të jetës së tij, duke arritur të sigurojnë informacione dhe imazhe të tij që prej moshës 7 vjeçare, kur pozonte si skautist. Matteo vleresohet si një fëmijë që i kishte që herët cilësitë e një lideri. Shokët e tij skautistë i kishin vënë nofkën "MatTeoria" për aftësitë e tij organizative. Paralelisht me eksperiencën e tij si skautist, Renzi ishtë një fëmijë i devotshëm që shkonte në kishë. Për imzot Giovanni Sassolini , famulltari i atëhershëm i Rignanos, ku Renzi është rritur me babain Tiziano, nënën Laura dhe tre vëllezërit, ai ishte një fëmijë shumë i përkushtuar dhe i mësuar që i vogël për të koordinuar bashkëmoshatarët. Një ministrant (asistent në kishë) me vokacionin e manaxherit: "Ishte ai që u shpjegonte të gjithëve si dhe çfarë duhet të bënin. Dhe nëse ishte ai, unë isha i sigurtë se gjithçka do të shkonte sipas planit. Domethënë, ishte një manaxher i vogël” thotë imzot Sassolini.
Një ndër daljet e para televizive të tij është ajo e vitit 1994. Në moshën 19 vjeçare, Renzi merr pjesë në programin televiziv “La Ruota della Fortuna”, që në ato kohë transmetohej në rrjetin televiziv në pronësi të Silvio Berlusconit dhe drejtohej nga Mike Bongiorno. Pesë pjesëmarrje rresht në program. Ajo që mbase jo të gjithë e mbajnë mend është fitorja e Renzit. Një shumë e majme, 48 milion lireta që, mesa shkruajnë mediat italiane, u kanë dhënë zgjidhje probleme financiare të kompanisë së marketingut që zotëronte babai i tij e në të cilën edhe vetë Mateo ishte drejtues. Pas kësaj daljeje të suksesshme televizive, Renzi angazhohet në politikë duke u përfshirë fillimisht në radhët e Partisë Popullore Italiane e njëkohësisht duke kryer studimet për drejtësi në Firence. Rrugëtimi i tij politik i nisur në vitin 1996 duket se është shoqëruar nga hapa galopantë. Në vitin 1999, ai zgjidhet sekretar rajonal i forcës së tij politike. Në këtë periudhë ai martohet me Anjezën, një studente letërsie.
Në vitin 2004 realizon fitoren e parë të rëndësishme duke u zgjedhur President i Provincës së Firences, si përfaqësues i koalicionit të qendrës së majtë italiane.Pas 5 viteve si President i Provincës së Firences, tashmë si anëtar i Partisë Demokratike, një parti e qendrës së majtë në Itali, ai fitoi në zgjedhjet vendore duke u bërë kryebashkiak i Firences. Një vit pasi u zgjodh kryetar bashkie dhe me popullaritetin në rritje edhe për shkak të sloganit radikal “Ose ndryshoj Firencen ose ndryshoj zanat ose kthehem të punoj” Renzi i shpalli “luftë” klasës politike italiane duke u pozicionuar përballë opinionit publik italian si një yll në ngjitje. Në 2011-n, Renzi bëri bujë kur tha se të gjithë politikanët italianë ishin të një brezi të kaluar dhe se Silvio Berlusconi duhet të dilte në pension. Një vit më pas, ai konkurroi në zgjedhjet Brenda partisë ku humbi përballë fituesit Pier Luigi Bersani. Pas dorëheqjes së Bersanit gjashtë muaj më vonë, Renzi konkurroi sërish për kreun e partisë, këtë herë duke fituar përballë dy kandidatëve të tjerë.
Pak ditë më parë, Renzi ndërmori një mocion mosbesimi ndaj paraardhësit Enrico Letta çka bëri që kryeministri të lajmëronte dorëzimin e detyrës me 14 shkurt, në ditën e Shën Valentinit. Zgjedhja e kësaj date nga “MatTeoria” duket se nuk ka qenë krejtësisht e pallogaritur duke qenë se ai cilësohet si “njeriu i së majtës që pothuajse të gjithë nga e djathta e duan dhe që pothuajse të gjithë nga e majta e urrejnë”
K.K
Add new comment