Daçiç pranon: Ja kam ofruar qeverinë Vuçiçit disa herë, për të shmangur zgjedhjet

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka dhënë një intervistë për të përjavshmen e Beogradit “Blic”, ku ka folur për qeverinë e tij, zgjedhjet e ardhshme dhe negociatat me Prishtinën. Është parashikuar që shumë muaj më parë se kryeministër i ri do të jetë zëvendësi aktual I Daçiçit, Aleksandar Vuçiç, aktualisht politikani më popullor në Serbi dhe aleat qeverisës. Për të shmangur zgjedhjet, Daçiç ka pranuar se disa herë i ka kërkuar Vuçiçit “të bëhet kryeministër pa thirrur zgjedhje të parakohshme”. Por, Vuçiç është përgjigjur se nuk bëhet fjalë për synime personale. Duke komentuar mbi spekulimet për takimet sekrete mes tij, Vuçiçit dhe presidentit Tomislav Nikoliç (foto, në mes), ai shprehet se, “jemi takuar shumë herë por kurrë në mënyrë sekrete”. “Ne nuk jemi komplotistë, jemi tre zyrtarët më të lartë të shtetit dhe nuk kemi arsye që të takohemi në mënyrë të fshehtë me njëri-tjetrin”, tha kryeministri serb. Daçiç e ka anashkaluar pyetjen mbi postin e tij të mundshëm në qeverinë e re, psh, portofoli i Mbrojtjes.
I pyetur se nga kush mendon se varet Serbia: Catherine Ashton, Vladimir Putin, Angela Merkel, Barack Obama, Daçiç tha: “Serbia na përket neve dhe do të varet nga ajo që ne do të bëjmë. As Angela, as Putin, askush nuk jeton këtu. Ata kanë interesat e tyre, ata nuk mundet dhe nuk duan që asgjë të mos ndryshojë në Serbi. Vetëm ne mund ta bëjmë këtë”.
a.k
Add new comment