"Banda e tritolit", në kërkim ndihmësi tjetër, furnizonte killerin me makina

Postuar në 18 Shkurt, 2014 03:39

Balkanweb.com flet dhe për një atentator tjetër brenda asaj që quhet tanimë si ‘Banda e Tritolit”. Ja raportimi që bëhet në këtë sit:

Banda e tritolit dyshohet se ka pasur edhe një tjetër ndihmës për kryerjen e atentateve të ndryshme. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se bëhet fjalë për një person me iniciale J.M., emri i të cilit nuk bëhet me dije për shkak të prishjes së hetimeve, i cili rezulton se ka pasur dijeni për atentatet që janë kryer, madje dyshohet se edhe ai vetë ka dhënë ndihmën e tij në këto raste. Për këtë arsye, policia dhe prokuroria janë vënë në kërkim të J.M., emri i të cilit ka dalë gjatë rrëfimit të të dyshuarit si killer me pagesë, Julian Sinanaj.

Vrasësi 31-vjeçar ka rrëfyer se është njohur me J.M. me anë të dy kushërinjve, Andon dhe Genis Mëhillaj. Kanë qenë këta dy të fundit, ata që, pasi e kanë prezantuar Sinanajn me J.M., i kanë thënë se ky i fundit do ta ndihmonte të dyshuarin si vrasës me pagesë për të kryer porositë që merrte. Sinanaj ka rrëfyer gjatë dëshmisë së tij se J.M. ka qenë personi që i siguronte atij makinat dhe mjetet e ndryshme që përdorte për të lëvizur gjatë atentateve të ndryshme, version që është përforcuar edhe nga i penduari tjetër i policisë, N.Gj.. Por kontaktet me J.M., i dyshuari si killer me pagesë i ka pasur të pakta dhe shumë rrallë është takuar me të, pasi preferonte që të vepronte i vetëm në detyrat që i caktoheshin. Gjatë dëshmisë së tij, Sinanaj ka treguar se një herë kushërinjtë Mëhillaj i kanë kërkuar që të përgatiste ekzekutimin e J.M., pasi ky person shfaqte rrezikshmëri të lartë për ta. Por, Sinanaj ka thënë se nuk ishte në dijeni dhe as është interesuar për arsyen se pse Mëhillajt donin ta ekzekutonin J.M.. Gjatë dëshmisë së tij, 31-vjeçari është shprehur se më pas plani për vrasjen e J.M. kishte ndryshuar, pasi Mëhillajt kishin vendosur të mos i bënin gjë. Juliani ka sqaruar se në asnjë moment nuk është interesuar të dijë se pse u ndryshua strategjia nga ana e kushërinjve Mëhillaj, ashtu siç nuk e ka as shumë të qartë pozicionin që kishte në bandë J.M..

Ky i fundit rezulton si një person me precedentë penalë, për tentativën e plagosjes së një efektivi policie, si dhe për armëmbajtje pa leje. Burime nga grupi hetimor sqarojnë se J.M. dyshohet të jetë vrasësi i dytë më pagesë në bandën e tritolit, por kjo mbetet për t'u vërtetuar. Për këtë arsye është kërkuar edhe një material nga Policia e Vlorës, duke qenë se i dyshuari është nga ky qytet bregdetar.

Hetimet
Sipas organit të akuzës, ka dyshime që J.M. të jetë person i implikuar në këtë dosje, si dhe të jetë në dijeni të krimeve. Për sa kohë J.M. ka qenë ndihmës i Sinanajt, ai duhet të ketë pasur dijeni për krimet që kryheshin dhe e ka mbajtur të fshehtë. Ekspertët dyshojnë, duke u nisur nga këto detaje, se për ngjarjet e tjera të bujshme kemi një killer të dytë. Pas atentateve në trekëndëshin Vlorë-Tiranë-Durrës qëndron një grup i mirëfilltë, i organizuar, dhe me dyshime të forta se pas tyre fshihen politikanë.

Të arrestuarit, 25 janar 2014
J.S., 31 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Vlorë, i padënuar më parë.
N.Gj., 30 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i padënuar më parë.
Andon (Erion) Ismet Mëhillaj, 39 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i padënuar më parë.
Marion Kostandin Mitro, 42 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i padënuar më parë.

I shpallur në kërkim:
Genis Bardhyl Mëhillaj, 43 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i padënuar më parë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.