INSTAT: Fitimet e biznesit, ulje historike. Ngërçi po mban peng ekonominë

Fitimi total i bizneseve është tkurrur nga 118 miliardë lekë që ishte në vitin 2009 në 96.6 miliardë lekë në fund të 2012-ës, thotë INSTAT në bazë të anketës së fundit mbi ndërmarrjet. Duket se kriza ka goditur fort fitimet e bizneseve duke i ulur ato në nivelet më të ulëta historike, që shkojnë në 18.1 për qind. Siç thotë TCH, në terma reale shifra është edhe më e lartë për shkak të efekteve që vijnë nga inflacioni. Rënia e fitimeve përveçse ka dobësuar biznesin ka krijuar një tjetër ngërç, që prek gjithë ekonominë. Shifrat tregojnë se me këto norma fitimi, bizneset e kanë të pamundur të zgjerojnë aktivitetin apo të kryejnë investime të reja, përmes kredisë. Kjo pasi normat e fitimeve nuk i justifikojnë interesat e larta. Konflikti mes normave të larta të interesit të kredive bankare dhe fitimeve të ulëta, ishte një nga efektet e para të krizës edhe në vendet e zhvilluara. Kjo i detyroi bankat qendrore në SHBA dhe Europë të ndërmerrnin politika agresive për të ulur koston e parasë në treg duke i çuar interesat deri edhe ne nivele afër zeros. Banka e Shqipëria ka ndjekur gjithashtu një kurs të ngjashëm, duke e ulur fort normën bazë deri në minimumin historik 3 për qind. Por kjo masë ka reflektuar shumë pak ose aspak në ekonomi.
a.k
Add new comment