Shehi, Topalli e Bregu dalin kundër idesë së bojkotit të parlamentit

Ka kaluar pa u vënë re nga gazetarët një lajm që e meriton të jetë lajm. Në diskutimet brenda opozitës lidhur me një bojkot të mundshëm të parlamentit, ka pasur dhe zëra kundër. Ka qenë kundër Dashamir Shehi, dhe – kjo është disi befasuese – Jozefina Topalli e Majlinda Bregu. Lajmin e ka raportuar vetëm gazeta Shqip, e prandaj po e publikojmë pikë për pikë atë që është thënë në këtë gazetë:
Zërat potentë brenda PD-së dalin kundër bojkotit të Parlamentit. Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh dje kundër daljes nga arena parlamentare të opozitës, duke theksuar se beteja me mazhorancën duhet të zhvillohet atje, por njëherësh nuk shmangu dhe idenë e protestave. “Të qëndrojmë në nivelin e atyre qytetarëve që më 20 shkurt kishin mbushur bulevardin, duke kombinuar një betejë parlamentare të fortë dhe të fuqishme dhe, nga ana tjetër, me lëvizje për të zhvilluar kontakte me qytetarët, për të mbrojtur çdo interes të nëpërkëmbur të tyre, duke i kombinuar këto me protesta”, u shpreh Topalli. Lajmi për tërheqje të opozitës nga nisma e demokratëve për ta bojkotuar Kuvendin, u bë dje i ditur dhe nga kreu i LZHK-së, njëherësh dhe deputet i PD-së, Dashamir Shehi, i cili në një prononcim për gazetën “Shqip”, pohoi dje se opozita do të jetë sot në Kuvend. “Vendimi për të mos bojkotuar Parlamentin është marrë që në mbledhjen e kaluar të grupit parlamentar, por ne e përdorëm këtë si formë presioni ndaj qeverisë lidhur me veprimet e saj të kohëve të fundit, e cila refuzon të zbatojë një vendim të formës së prerë të Gjykatës Kushtetuese, për botimin e vendimit për nëpunësin civil. Ne do të jemi nesër (sot) në Kuvend, por gjithsesi çdo gjë do të vendoset përfundimisht nesër (sot), në mbledhjen e grupit që do të mbahet rreth orës 09:30 të mëngjesit, para nisjes së seancës plenare. Dhe në këtë mbledhje do të veprohet siç është vepruar vazhdimisht, ku do të caktohen deputetët që do të flasin në Kuvend, por them që i gjithë debati do të përqendrohet te nëpunësi civil dhe shkarkimi i Zana Xhukës”, u shpreh deputeti Dashamir Shehi. Pjesëmarrjen e deputetëve të Partisë Demokratike në seancën e sotme parlamentare e pohoi edhe deputetja demokrate, Majlinda Bregu, gjatë një interviste që ajo dha pasditen e djeshme, se “besoj se ajo çka është deklaruar këto ditë, ka të bëjë pikërisht me rivendosjen e marrëdhënieve të mazhorancës me deputetët e opozitës. Ne do të jemi nesër në punimet e Kuvendit, për të diskutuar në lidhje me shkeljet e vendimet e Gjykatës Kushtetuese, për shkeljet e vendimeve të Presidentit të Republikës, dhe për shkelje flagrante të Kushtetutës, ku Kuvendi në mënyrë flagrante shkeli jo vetëm rregulloren e Kuvendit, por dhe Kushtetutën për shkarkimin e Zana Xhukës”.
Comments
Deklarata e Topallit ne
Deklarata e Topallit ne lidhje me bojkotin e parlamentit eshte bere ne emisionin "Watching" ne Agon Channel. Nuk ka aspak lidhje me gazeten "Shqip" sikunder thoni ne shkrim. Eshte e pafalshme dhe shume e shemtuar qe dezinformohet mbi burimin e lajmit. z.Nano qe drejton "Respublica"-n eshte nje gazetar me eksperience dhe nuk le fenomen negativ qe ndodh ne kete shoqeri pa kritikuar...dhe mire ben. Kesaj here ta marre kete kritike per te permiresuar raportimin ne kete portal. Jo per gje por ky fenomeni qe nuk permendet media qe publikon lajmin po shnderrohet ne normalitet
Add new comment