ILDKP, zhduken dosjet e dy ish-drejtuesve Xhuka dhe Llalla (dhe 14 dosje të tjera)

16 dosje të kontrollit të plotë të pasurive janë zhdukur nga arkivi i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit, Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Mes tyre janë dosjet e kontrollit të plotë të ish-kryeinspektorëve, Adriatik Lalla dhe Zana Xhuka, dy paraardhësit e kryeinspektorit, Shkëlqim Ganaj, raporton “Shekulli”.
Konkluzionet janë nxjerrë në përfundim të fazës së parë të kontrollit të dosjeve në arkiv e protokoll. Në përfundim të këtij procesi janë sistemuar e kontrolluar nga e para rreth 16.000 deklarata pasurie, 30.000 fletë kontrolli aritmetik e logjik dhe 5500 dosje të kontrollit të plotë, nga viti 2004 deri më sot. Pas përfundimit të kësaj faze do të nisë dhe faza e dytë që ka të bëjë me kontrollin e dokumentacionit të dosjeve, proces ky që është edhe më delikat dhe që kërkon më shumë kohë.
Procesi i kontrollit të plotë, rikontrollit të plotë dhe hetimit administrativ të të gjithë deklaratave të interesave private që nga viti 2003 u njoftua dy javë më parë ILDKPKI-ja. Në këtë proces përfshihen dosjet pra Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat; anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Gjykatës së Lartë, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, kryetari dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zëvendëskryetari dhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë; kryetarët e bashkive, drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme; drejtori i Përgjithshëm i Doganave, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve deri tek gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve.
Add new comment