Murgesha që shkundi “The Voice”, një sukses i kërkuar prej vitesh

Një murgeshë në “The Voice” nuk mund të mos përbënte lajm. Por Cristina Scuccia, 25 vjeçare nga Comiso, në provincën e Raguzës, u ka hyrë në zemër menjëherë të gjithëve. Mbi të gjithë “J-Ax”, anëtarit të jurisë italiane, që e ka zgjedhur menjëherë për skuadrën e tij. Përdoruesit e web-it janë çmendur pas saj, pas prezantimit që i ka lënë të gjithë pa fjalë. Videoja e saj e audicionit të fshehtë ka arritur me miliona klikime ndërsa media prestigjioze ndërkombëtare vijojnë ende të shkruajnë për murgeshën që konkretizon në realitet atë që kinematografia ka sjellë shumë vite më parë, “Motrat gazmore (sister act)”. Motër Cristina ka dhënë një intervistë për portalin “Credere.it” ku ka dëshmuar se, në jetën e saj, muzika ka ardhur para vokacionit (thirrjes) për t’u bërë murgeshë: “Pas Krezmimit (sakrament që marrin të krishterët) isha larguar nga Kisha dhe isha e inatosur me Zotin. Për mua kishte rëndësi vetëm të shkoja në leksionet e kantos, të frekuentoja akademinë e spektaklit në Catania, dhe të dilja me bandën time muzikore”. Vajza, sapo kishte mbushur 18 vjeç, tentoi të arrijë suksesin me talent show, por u eleminua që në fazën e provimeve për "Amici" dhe "X-Factor".
Atëhere nisi universitetin dhe ndërkohë gjeti edhe një të dashur, derisa në vitin 2007, e ëma e saj lexoi një artikull të Claudia Kohl, që në atë kohë ishte bërë drejtuese e akademisë së themeluar nga një urdhër murgeshash. Kohl kërkonte një protagoniste për një muzikal mbi motër Rozën, themeluesen e urdhërit të murgeshave Orseline. Cristina mori pjesë në provim dhe u përzgjodh. Nga ky moment vajza zbuloi vokacionin (thirrjen) dhe filloi rrugën për t’u bërë murgeshë, fillimisht në Brazil, ku u kujdes për fëmijët: “Muzika më ka ndihmuar të futem në kontakt me ata dhe kam zbuluar këngën si një mënyrë për t’u lidhur me Zotin, si nevojë e shpirtit tim dhe si instrument për të prekur zemrat e njerëzve”. Tashmë motër Cristina ka rinovuar betimin për pastërti, bindje dhe varfëridhe njëkohësisht merr pjesë në koncerte të ndryshme, kryesisht të karakterit fetar. Zgjedhja e “J-Ax”, krijon një ekip konkurrues në “The Voice” të cilit i shkon për shtat shprehja e thënë nga vetë anëtari i jurisë: “Djalli dhe uji i shenjtë”
Për më tepër video e audicionit: http://www.youtube.com/watch?v=TpaQYSd75Ak
k.k
Add new comment