Ermonela Jaho nderohet me “Medalje Nderi”: Shqiptarët e kanë të vështirë të vlerësojnë dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin

Postuar në 05 Prill, 2014 05:41

Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare me famë botërore, është nderuar nga qeveria shqiptare me “Medalje Nderi”. Ky nderim për Jahon mund të konsiderohet ndër më të lartët, pasi kjo medalje rezervohet ekskluzivisht për krerë shtetesh.

Në ceremoninë e rastit, kreu i qeverisë, Edi Rama u shpreh se “jam krenar që Ermonela Jaho e cila i takon gjithë botës dhe që atdhe ka Shqipërinë, është këtu me ne për të na dhënë kurajë dhe besim që edhe Shqipëria do të jetë një ditë përkrah Francës, Austrisë, Britanisë së Madhe, njësoj siç është në axhendën e këngëtares së madhe”.

Ndërsa e cilësoi Jahon si artiste të kategorisë superiore, Rama tha se ajo është sot një ndër ambasadoret më të mira të Shqipërisë dhe imazhit të saj në botë.

“Politikanët dhe ambasadorët kanë punë me shumë rëndësi për të bërë, por të mos harrojmë që ambasadorët tanë nuk janë vetëm ata që nëpër botë paraqiten me kostumin e diplomatit. Zëri i Ermonelës është zëri shqiptar që përcillet si rreze drite në artin botëror, ndaj dhe Shqipëria është me fat që ka një ambasadore të tillë, të cilën do të na e kishte zili çdo vend në botë”, tha kryeministri.

Ermonela Jaho në fjalën e saj, foli për “çelësin e suksesit”. “Gjithmonë kemi menduar dhe këtu flas në emër të shumë artistëve me të cilët kam folur jashtë Shqipërisë, që e kemi vështirë të vlerësojmë e bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, por në momentin kur i gjejmë çelësin zemrës, respektojmë, vlerësojmë bashkëpunojmë me njëri tjetrit.  Ne shqiptarët bëjmë mrekullira, siç ishte  mrekullia kur bashkuam të gjithë zemrat,  në operën “Madamme Butterfly” . Ishte ky  rezultat , që bëri që njerëzit donin të vinin jo për të parë këngëtaren, por për të ndjerë diçka të vërtetë e të sinqertë, që vinte nga ky bashkim zemrash që bëmë ne artistët shqiptarë”.

Sopranoja e njohur  Ermonela Jaho u rikthye në skenën shqiptare me operën “Madam Butterfly” në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë pas shtatë vitesh mungesë.

S.S

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.