Fiksoi momentet kur rrihnin protestuesin. Policët dhunojnë dhe i fshijnë fotot gazetarit të “Panoramës”

Policia dhunon gazetarin e “Panoramës”, i cili fotografoi momentet kur grupi i gatshëm po rrihte një protestues brenda furgonit të policisë. “Gazetari ynë, Armand Bajrami u ndodh dje pasdite para godinës së komisariatit numër 2 në Tiranë, duke fiksuar çastet kur brenda furgonit që shoqëronte një protestues po ushtrohej dhunë me shkopa gome. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i 6 punonjësve të policisë, të veshur me uniformë, jelekë dhe me shkopa gome. Edhe pse Bajrami mbante në qafë kartën e gazetarit dhe ndodhej jashtë ndërtesës së policisë, atë e kanë rrethuar uniformat blu dhe me forcë e kanë futur në oborrin e komisariatit” shkruan gazeta “Panorama”.
“Të zhdukim fare! Fshiji fotografitë! Nuk u bëre ti të na fusësh në burg neve! Të bëjmë atë që s’ta ka bërë njeri!” ishin thirrjet e atyre personave që pak sekonda më parë kishin dhunuar një qytetar e më pas vazhduan me një gazetar. Nga policët nuk janë kursyer as fyerjet e rënda. “Me dhunë e kërcënime 6 punonjës policie e kanë detyruar gazetarin tonë që të fshinte të gjitha fotografitë në aparat, për të zhdukur kësisoj dhe provat e keqtrajtimit të një të riu që ndodhej në furgon. Fati i këtij të fundit nuk dihet si ka shkuar, ndërkohë që gazetari u la i lirë të vazhdonte vetëm pasi pronarët e shkopinjve të gomës u siguruan se fotografitë ishin hequr” vijon artikulli. Për këtë rast gazeta ka bërë kallëzim pranë SHKB-së së Tiranës, e cila ka marrë përsipër hetimin e plotë për të identifikuar autorët dhe vënien e tyre para përgjegjësisë.
Ndërkohë, gazetari Armand Bajrami, në rrjetin social “Facebook” ka postuar një shënim, i cili tregon versionin e tij për incidentin me policinë. “Për llogari të gazetës ku punoj, fotografova një furgon policie brenda të cilit ndodhej një prej protestuesve të shoqëruar në Rrugën e Kavajës, i cili po dhunohej keqazi me shkopa gome (dukej lehtësisht nga jashtë). Ç’më ndodhi??? Me të zbritur nga furgoni, policët me shkopa gome në duar duke përdorur forcën me detyruan të futesha brenda rrethimit të Komisariatit nr.2. Nën kërcënime dhe fyerje me detyruan të fshija fotot, ndërkohë që dy prej tyre kërkonin me ngulm të më fusnin brenda në komisariat. Në qafë kisha të varur kartën e gazetarit dhe ua thashë disa herë se çfarë profesioni kisha. Por m’u përgjigjën se “nuk je bërë ti t’na fusësh në burg, se të zhdukim fare”. Nuk jam bërë e as nuk dua t’i fus burg në fakt. Ama, e them me plot gojën, që ME ERDHI TURP që jetoj në Shqipëri. Të dashur miq, nuk e kuptova nëse kisha të bëja me efektivë të Policisë së Shtetit, apo me miq të gardianëve grekë…”, shkruan Bajrami.
k.k
Add new comment