Seanca ndaj Arben Frrokut, dëshmon bashkëshortja e kryekomisarit Lamaj: Vrasja zbardhet me punë policore, jo me intervistim familjarësh

Bashkëshortja dhe motra e kryekomisar Dritan Lamajt kanë dëshmuar në seancën e radhës ndaj Arben Frrokut, i cili akuzohet për vrasjen e oficerit të policisë. Bashkëshortja e Lamajt, Anila, tha se nuk kishte dijeni për probleme të tjera të bashkëshortit, përveç gjyqit me Arben Frrokun. Ajo ka rrëfyer momentin e ngjarjes. “Ka ardhur në shtëpi në orën 3 dhe ka dalë nga shtëpia në orën 6 pasdite. Ai do të çonte motrën te një i afërm. Në kohën kur ka zbritur, ka ndodhur ngjarja. Ka pasur shqetësimin për lëvizjen nga puna. Mua më shmangte nga problemet pasi vuaj nga zemra dhe nuk m’i thoshte. Në orën 06:25 kam dëgjuar breshëri armësh dhe kam dalë në ballkon. I bija telefonit, nuk u përgjigj dhe dyshova se kishte ndodhur diçka.
Mbaj mend që njerëzit më thoshin ‘tani mbahu’. Më pas zbrita poshtë dhe më thanë se ishte plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Dhe ika atje. Persona që kishin parë ngjarjen më thanë se kishin qenë tre persona të maskuar që kishin qëlluar me automatik”, tha ajo.
Anila Lamaj ka bërë edhe një pohim shumë realist, kur deklaroi se “nuk zbardhet e vërteta për vrasjen e Dritan Lamajt duke pyetur familjarët, ta zbardhë policia. E dija që kishte procese gjyqësore të hapura me Arben Frrokun por nuk e njihja Arben Frrokun para se të ndodhte ngjarja”. Ndërsa motra e Lamajt, Esmeralda Lamaj, rrëfeu para trupit gjykes të Krimeve të Rënda se Frroku e kishte kërcënuar me jetën e vajzës.
a.k
Add new comment