Xhorxh Bush operohet, kishte venë të bllokuar

Ish-presidenti amerikan, Xhorxh W. Bush, kaloi me sukses një ndërhyrje kirurgjikale për shkak të një arterieje të bllokuar. Ajo u zbulua gjatë kontrollit të tij fizik të hënën dhe ndërhyrja u krye të martën paradite. Zëdhënësi i tij tha se procedura shkoi mirë dhe Bush pritet të dalë sot nga spitali “Presbyterian” në Teksas. Atij iu vendos një stent, një tub i vogël rrjeti metalik, në arterien e bllokuar, dhe nuk pati komplikime.
Zëdhënësi Fred Ford tha se Bush ishte me humor të mirë pas operacionit. Problemi shëndetësor ishte surprizë për Xhorxh W. Bush pasi ishte babai i tij, Xhorxh H.W Bush, që u shtrua në spital për disa muaj në fund të vitit të kaluar. Ndërsa ish-zëvendësi i Bush, në kohën kur ai ishte president, Dik Çenej, ka kaluar pesë infarkte. Një procedurë si e Bush është kryer dy herë edhe nga ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, në vitin 2010, i cili ka pasur edhe probleme të tjera me zemrën në vitet 2004 dhe 2005.
Add new comment