Viktor Orban drejt mandatit të tretë. I “forti” i Hungarisë që frikëson Europën

Partia konservatore e populistit Viktor Orban kryeson zgjedhjet legjislative të mbajtura sot në Hungari. Të paktën këto janë rezultatet e dala nga instituti Nezopont. Ky do të jetë mandati i tretë që Orban do të mbajë si kryeministër i vendit të tij. Në qeverinë e re pritet të futet edhe parti e ekstremit të djathtë (Jobbik) që sipas exit-polleve ka arritur një rezultat 18 %. Pavarësisht kundërshtimeve në Hungari dhe jashtë vendit, qeveria konservatore e Viktor Orban vlerësohet se ka sjellë ndryshime të thella.
Po kush është Orban? Ai ka lindur në vitin 1963 dhe ka studiuar për drejtësi në Budapest, pasi ka kryer shërbimin ushtarak. Pas përfundoi studimet në 1987, ai ka punuar për pak vite si sociolog në Ministrinë e Agrikulturës dhe Ushqimit. Në 1989, Orbán arriti të fitojë një bursë nga fondacioni Soros ku studioi 4 muaj në Oxford. Në janar të 1990, ai la Oxford-in dhe u rikthye në Hungari ku fitoi një vend në parlamentin e parë post-komunist të vendit të tij. Ai është fans i sporteve, e veçanërisht i futbollit ku edhe ka luajtur për skuadrën e Felcsút. Madje ai figuron si lojtar edhe në lojën “Football Manager 2006” ndërsa në 1983 ka luajtur edhe në një serial televiziv, rolin e futbollistit.
Ai është aktivizuar herët në politikë. Që në adoleshencë, në moshën 15 vjeçare ai ka qenë sekretar i rinisë komuniste i shkollës së tij. Në vitin 1988, Orbán ka qenë një nga anëtarët themelues të “Fidesz”(Aleanca e Demokratëve të Rinj) partisë që drejton sot. Antarët e parë ishin më së shumti studentë që kundërshtonin regjimin komunist. Në vitin 1989 ai mbajti një fjalim publik në Budapest ku përkujtoheshin martirët dhe nga aty bëri thirrje për zgjedhje të lira e demokratike. Kjo thirrje i dha atij përmasat e një politikani kombëtar, çka më vonë u reflektua edhe në prezencën e tij në tavolinat politike si përfaqësues i opozitës së vendit. Tre vite më vonë, ai u bë kryetar i partisë dhe nën drejtimin e tij, Aleanca e Demokratëve të Rinj u reformua. Në 1998, Orbán formoi një koalicion të suksesshëm me forcat kryesore politike në Hungari, çka e çoi atë në karrigen kryeministrore për herë të parë. Mandatin e kryeministrit e mbajti deri në vitin 2002, për t’u rikthyer me një mandat të dytë në vitin 2010.
Mandati i tij i dytë mund të cilësohet si një mandat i vështirë dhe i shoqëruar nga tensione mes tij dhe Bashkimit Europian. Mbështetja e gjerë parlamentare që fitoi në Kuvend i dha atij mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës dhe të një serë ligjeve të tjera të rëndësishme, çka solli debate të forta. Ai e shfrytëzoi mazhorancën për kufizimin e lirisë së medias apo për të kontrolluar institucionet, çka solli edhe një “izolim” diplomatik të tijin. Në mars të vitit 2012, ai vizitoi edhe Shqipërinë, ku u prit me nderime të larta. Në vitin 2011, ai deklaroi në “London School of Economics” se fitorja e vitit 2010 përfaqësonte një dëshirë të hungarezëve për të mbyllur kapitullin post komunist, duke theksuar faktin se, sipas tij, një lidership politik i fortë, është avantazhi që një vend europian mund t’i ofrojë Bashkimit Europian. Kësaj deklarate iu bashkangjit edhe një tjetër ku thoshte se “ne europianët kemi nevojë për Rusinë. Herët a vonë do të duhet të bëjmë aleancë”. Ndaj edhe mediat ndërkombëtare e cilësojnë atë si “njeriun e fortë që po frikëson Europën”.
k.k
Add new comment