Urdhër arresti për ish presidentin e Ukrainës. Edhe partia e vet e “bën hasha”

Ndaj ish presidentit ukrainas Viktor Janukoviç është lëshuar një mandat arresti. Lajmi bëhet i ditur nga Interfax, sipas të cilës urdhrin e ka firmosur Ministri i Brendshëm interim i Ukrainës, Arsen Avakov. Janukoviç u pa për herë të fundit të dielën e 23 shkurtit, duke u larguar nga rezidenca e tij në Krime, në jug të Ukrainës duke iu drejtuar aeroportit Belbek. Ish-presidenti Janukoviç është kritikuar ashpër dhe nga partia e tij. Lideri parlamentar i Partisë së Rajoneve, Oleksandr Yefremov fajësoi dje ish presidentin se kishte vjedhur dhe mashtruar kombin. Yanukoviç akuzohet nga partia e tij se ka dhënë urdhëra të jashtëligjshëm të cilët çuan në vdekjen e dhjetëra protestuesve. Në vendin e përçarë për të ardhmen e vet, presidenti i përkohshëm Oleksandr Turchynov u shpreh se vendi tashmë do të fokusohej në integrimin në BE, por ky vendim duket se nuk është pritur mirë nga Rusia e cila vendosi të tërheq ambasadorin e saj në Ukrainë, duke e justifikuar me faktin se situata në vend po përkeqësohej. Ndërkohë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Catherine Ashton lajmëroi se do të vizitojë Kievin gjatë ditës sotme për të diskutuar mbi mbështetjen e BE për një zgjidhje të krizës politike dhe masave për të stabilizuar ekonominë. Kuptohet që marrëveshjet ukrainase me Rusinë mbi çmimin e gazit dhe miliardat e ndihmave, zor se do të jenë më në axhendë.
a.k
Add new comment