Ujërat shqiptare nuk patrullohen më, radarët janë fikur. Probleme teknike, - thotë kreu i Flotës

Aktualisht nuk ka asnjë anije shqiptare në ujërat tona territoriale. Një ndër Radarët më të rëndësishëm, ai i Ishullit të Sazanit, ka rreth tri muaj që është fikur; kontrabanda dhe trafiqet janë aktualisht pa survejim; subjekte të huaja tregtare, shkarkojnë mbeturinat; nuk ka më patrullime sepse nuk ka karburant! Forcat Detare nuk arrijnë të mbajnë personelin e shërbimit 24-orësh dhe atë të anijeve të gatshme as me veshmbathje e ushqim. Pohimet vijnë nga një raportim i së përditshmes DITA në numrin e saj të sotëm në një kryeartikull me titull “Jemi turpi i NATO-s”. Raportimi mbështetet në të dhënat e ofruara nga një ushtarak i lartë i marinës në kushte anonimati.
DITA ka intervistuar për këtë raportim kreun e Flotës gjeneral Qemal Shkurti, i cili përgjigjet: “Atje ku punohet, do të ketë dhe pengesa, gabime e vështirësi. Por situata nuk është alarmante. Përsa i përket patrullimeve, janë bërë, por ka pasur dhe probleme. Karburant jo se nuk ka, por ka pasur raste të vonesave në furnizim, pra probleme teknike. Radari i Sazanit? Ka pasur probleme teknike, gjëra që ndodhin…”
Kure ish-komandanti gjeneral Kudret Çela, citohet në të njëjtin raportim te gazetes:
“Unë kam kohë që jam larguar nga ajo detyrë, e situatën nuk e njoh në detaje të hollësishme, por kjo situatë pritej dhe është e pafalshme për një strukturë, pjesë e një ushtrie që aderon në NATO. Për mua, të gjitha pasojat që lidhen me gatishmërinë, kryerjen e misionit të FLD-së, e kanë burimin tek struktura aktuale që është Flota. Specialistët, një ndër ‘ta edhe unë, e kemi kundërshtuar këtë strukturë deri në hallkat më të larta të shtetit si jo efektive, por nuk jemi dëgjuar…” a.n.
Comments
tek ne s'punojne semaforet mu
<p>tek ne s'punojne semaforet mu ne qender te Tiranes,ju vrisni mendjen per radaret ne Sazan.Dhe ja,ta zeme qe radari kapi ca imperialista nja dhjete metra nga buza e detit,me çfare do t'i kapi?Me komerdare?</p>
Add new comment