Transporti publik në Maqedoni, diskriminohen 3 mijë shqiptarë

Banorët e fshatit Luboten mësohet se prej disa ditësh nuk e gëzojnë më mundësinë për të udhëtuar me transportin publik. Siç bën të ditur gazeta “Zhurnal”, tre mijë banorët me etnitet shqiptar nuk munden të udhëtojnë përmes linjës 47A, e cila i përket ndërmarrjes së transportit publik “Shkupi”. Banorët shprehen se gjatë periudhës kur nxënësit janë në pushim dimëror, autobusi shkon vetëm 5 herë në fshatin Luboten ndërsa sot 2-3 herë, duke qenë linja me më pak udhëtime në kryeqytet.
“Është turp ajo se çfarë po na ndodh. Si po na trajtojnë? Një fshat që ka mbi 3 mijë banorë, nuk ka as tre herë autobus brenda ditës. Këtu ka njerëz të sëmurë, ka të varfër, ka të atillë që mbesin vonë në qytet. Nëse s’ke veturë, s’mund të mbijetosh. Çfarë shteti është ky!” - citohen të jenë shprehur banorët për “Zhurnal”.
Banorët e Lubotenit kërkojnë që edhe në kohën kur nuk ka reduktime, të ketë linja më të shpeshta për në fshat, pasi autobusi i fundit arrin në orën 20.10. Aktualisht, autobusi i fundit në Luboten arrin në ora 17.20.
Shqetësimi i ngritur nga banorët në mediat shqiptare dhe ato maqedonase ende nuk ka gjetur një zgjidhje edhe pse partitë politike shqiptare janë pjesë e qeverisë në rang zv.kryeministri dhe ministrash. Nga ana tjetër, ndërmarrja e transportit publik "Shkupi" nuk ka bërë asnjë sqarim për situatën e krijuar.
a.r
Add new comment