Tërmeti godet Shtetet e Bashkuara. Obelisku në Washington i dëmtuar

Një tërmet me magnitudë 5.9 ballë i shkallës Richter goditi dje Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Epiqendra e tërmetit u lokalizua në shtetin e Virginia-s rreth 120 km nga Washington D.C. dhe lëkundjet u djenë që nga Toronto, Kanada deri në NeW York e më tej në Karolinën e Jugut. Pentagoni, Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë u evakuan menjëherë, njofton agjensia e lajmeve Associated Press. Tërmeti zgjati 45 sekonda dhe mendohet të jetë nga më të mëdhenjtë në Bregun Lindor. Nuk raportohen viktima dhe dëmet janë minimale. Dy reaktorë bërthamorë në Virginia u stakuan automatikisht dhe nuk kanë pësuar ndonjë dëmtim, raporton Reuters. Ndonëse tërmeti nuk ishte i shkallës se lartë dhe nuk pati dëme, ai shkaktoi një panik të madh tek njerëzit që disa media e krahasojnë me atë të pas 11 Shtatorit. Njerëzit në të gjithë Bregun Lindor dolën në rrugë të nervozuar dhe frikësuar, sepse nuk arrinin të kuptonin se ç’po ndodhte. Tërmetet në Bregun Lindor janë të rrallë, ndaj shumë banorë i trembeshin ndonjë sulmi terrorist.
Agjensitë raportojnë se obelisku 168 metra i lartë në Washington ka pësuar disa të çara. Inxhinierët po përpiqen të gjejnë mënyra për ta riparuar atë sa më shpejt.
A. Kola
Add new comment