Stefani flet për “juristë të pasionuar pas pushtetit absolut të Berishës” që po ndihmojnë manipulimin e ligjshëm të zgjedhjeve

Në një artikull te Gazeta Shqip, Andrea Stefani ngre shqetësimin mbi manipulimin e ligjshëm të zgjedhjeve. Stefani i referohet skandalit të sapodenoncuar nga opozita të regjistrimit në Kukës të punonjësve të Policisë nga Tirana. “Është një rast që tregon sesi ligjin mund ta dhunosh edhe pa e shkelur, sesi edhe zgjedhjet mund t’i manipulosh duke mos e shkelur ligjin, por duke përdorur të çarat e tij në favor të manipulimit, se ligjin mund ta manipulosh në favor të manipulimit të zgjedhjeve” shkruan ai.
Sipas Stefanit, vetë policët në një vend tjetër do kishin refuzuar të përdoreshin kësisoj, në funksion të vjedhjes së zgjedhjeve,por “në Shqipëri, ku pushteti të kërcënon me vendin e punës dhe bukën e gojës së kalamajve, njerëzit janë shndërruar në sende që qeveria i hedh nga të dojë e kur të dojë. Dhe, a ka një send, zë, forcë apo vullnet të kundërshtojë padronin e vet?”
Por, Stefani, më shumë se policët, ngre problemin e juristëve që mbështesin këtë metodologji sepse “zbatimi i ligjit në këtë formë të shëmtuar është në funksion të rrënimit të shtetit ligjor”.
Ai nuk mungon të ngrejë dhe gishtin mbi fajtorët, juristët që i mbëlshtesin këto skema. Shkruan Stefani: Çdo jurist me integritet profesional duhet të ishte kundër skemave të tilla. Mjerisht nuk ndodh kështu. Juristë pranë Kryeministrit Berisha janë pikërisht ata që po këshillojnë këtë proceduralizëm që i kundërvihet të drejtës, ndërsa respekton ligjin. I përfshirë në debatin për ndarjen e mandateve sipas zonave, Ilir Rusmali, kreu i Komisionit të Ligjeve akuzoi opozitën se ka keqpërdorur anëtarët e saj në KQZ për të bllokuar KQZ-në. Kjo, sipas tij, nuk është “rrugë ligjore”. Juristë të tillë janë aq të pasionuar pas pushtetit absolut të Berishës sa nuk mendojnë veçse si të shpallin antiligjor çdo bllokim që mund t’i bëhet arrogancës së këtij pushteti.”
k.c.
I plotë:
http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/01/26/manipulimi-i-ligjshem-i-zgjedhjeve/
Add new comment