"Shekulli", dritë mbi Ristanin: në qelinë e Burgut 313 bashkë me gazetarin që kishte dënuar vetë...

Postuar në 12 Qershor, 2013 10:55

Luis Tanushi ka pregatitur një speciale sot te Shekulli për historinë profesionale të Arben Ristanit, e cila ka një kurbë interesante: avokat i Ilir Hoxhës, dënues i gazetarëve Martin Leka e Aleksandër Frangaj, arrestim e burgosje tek 313 nga Berisha për korrupsion, jurist i Presidencës (nën Moisiun), vendimtar në votimet e kontestuara 2009 dhe 2001, dhe së fundi kandidat i PD.

Interesante janë pjesët e shkëputura nga gazeta Koha Jonë më 11 mars 1994 me titullin: “Izolohet në burgun e Tiranës, Arben Ristani gjyqtar i çështjes Frangaj –Leka”.

Parmbrëmë, në orët e vona të mbasdites u thirr në rajonin e policisë nr. 3 të Tiranës, gjykatësi Arben Ristani. Tepër i njohur kohët e fundit nëpërmjet faqeve të shtypit, emri i Ristanit është i lidhur pikësëpari me procesin Frangaj-Leka. Vetëm 10 ditë më parë ai kishte dërguar në burgun e Tiranës kolegun tonë Martin Leka pasi pati liruar në sallën e gjyqit Aleksandër Frangajn. Por këtë radhë me sa duket do të jetë vetë gjykatësi që do të përfundojë në bankën e të akuzuarve. Zëra nga prokuroria e Tiranës bëjnë të ditur se gjykatësi i çështjes Frangaj-Leka do të vendoset përballë akuzës së shpërdorimit të detyrës lidhur me një proces që ai ka pasur ndërmjet një firme private dhe organeve të policisë financiare. I ndaluar pardje pasdite në rajonin e policisë, Ristani u shoqërua dje në drekë rreth orës 13.00 për në repartin 313, pikërisht atje ku pa përfillur protestat e mjaft gazetarëve të njohur si brenda dhe jashtë vendit ashtu si dhe të mjaft juristëve, dërgoi më parë kolegun tonë Martin Leka. Megjithëse në procesin ndaj dy gazetarëve, gjykatësi 24 vjeçar foli me gjuhën e ashpër të atyre që kërkuan dhe projektuan dënimin, dikush pat mbetur i pakënaqur. Reagimi i menjëhershëm prokurorisë së rrethit që kërkoi prishjen e vendimit të gjykatës duke pretenduar se ai është i pabazuar në ligj e provon këtë. Ndoshta dikush ka dashur që Frangaj të dënohej me çdo kusht qoftë edhe me njëmuajshin e paraburgimit e që Leka të vuante më tepër për krimin inegzistent të imagjinuar në kushedi ç'pallat ëndrrash. Kështu pra, të enjten, në drekë Arben Ristani, megjithëse jurist, filloi të njohë në praktikë rregulloren e Burgut të Tiranës. Pjesëmarrës në grevën e urisë të studentëve kundër emrit të diktatorit, gjyqtari i ri u ndodh dje fare pranë ish-bllokmenëve. Gjithsesi, sipas versionit jo zyrtar, i cili e implikon Ristanin në gjyqin e një firmë private me policinë financiare, duket e habitshme se përse ndalimi i tij nuk ishte bërë më parë. A mos pritej që A. Ristani të tregohej ekstremisht i ashpër në gjyqin e gazetarëve dhe ashtu siç e shtoi dënimin për Martin Lekën ta shtonte edhe për Frangajn? Mesa duket dreka që serviri Ristani nuk i nxori ata që parashikonin një tjetër tryezë. Duke qenë së ndalimi i Ristanit është ende i paqartë, nuk mund të thuash se cili është shkaku që tronditi dje Gjykatën e Tiranës. Për më tepër ngjarja ndërlikohet nga disa informacione të pakonfirmuara që flasin për një kontroll të bërë parmbrëmë në shtëpinë e gjyqtarit. Megjithatë, ajo që të thuhet me bindje është se gjykata e gjykatësit do të bënin mirë të kuptonin rëndësinë e pavarësisë së tyre për të qenë shumë më të qetë pas përfundimit të gjyqit. T.Çela

k.c.

Shkrimi i plotë:

http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=24718&kat=100

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.