Shërbimet sekrete, PS-PD me “dorë në zemër” për kontrollin e tyre

Postuar në 12 Shkurt, 2014 10:27

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim ka organizuar sot një aktivitet mbi çështjen e agjencive të sigurisë. Në të kanë marrë pjesë edhe deputetët e komisionit Parlamentar të Sigurisë, Pirro Lutaj dhe Ardian Turku. Të dy këta të fundit kanë shprehur pikëpamjet e tyre për kontrollin e shërbimeve të sigurisë, duke nënvizuar se ky kontroll nuk duhet të cenojë punën e tyre. “Aktiviteti i shërbimeve informative mund të pengohet nëse veprimtaria e tyre shihet si mundësi për të përfituar kapital politik dhe nuk arrihet në gjetjen e ekuilibrave të duhur mes nevojave operacionale të shërbimeve informative dhe llogaridhënies te qeverisja", tha Pirro Lutaj. Edhe deputeti Turku ka prekur këtë çështje duke kujtuar jo rastësisht se “'Sigurimi i shtetit ose sigurimi i dikurshëm konsiderohej si arma e partisë dhe në këto kushte ishte krejt në funksion të klasës ose të nomenklaturës së dikurshme. Unë gjithmonë mbroj mendimin që koncepte të tilla të trashëguara që para '90-ës, vazhdojnë të na pengojnë në mënyrën tonë të ndërtimit të marrëdhënieve, pasi janë gjëra që lidhen me konceptet dhe me mënyrën tonë të jetesës dhe mënyrën sesi i kemi ndërtuar ato". Nëse i thjeshtojmë gjithë këto fjalë të bukura të të dy deputetëve mund të themi se të dyja partitë kanë hallin sesi të kontrollojnë shërbimet, kryesisht SHISH-in, duke e kamufluar këtë herë nën nevojën e reformave dhe herë nën alibinë se po na rikthehet Sigurimi. Dhe meqë Sigurimi është histori, duhet kujtuar se sentenca që vjen nga ajo kohë është se ishte Partia dhe jo Sigurimi që triumfoi mbi armiqtë. Kështu është pak a shumë edhe sot; teksa të dy palët ulërasin për kontroll dhe demokraci në çdo institucion, brenda strukturave të PD-së e PS-së do shqisat e një sektari të thekur që të orientohesh.

s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.