Rrjedhje tjetër nga SHISH. Top-Channel publikon një qarkore të siguruar përmes burimeve

Top-Channel ka publikuar sot një tjetër qarkore që ka dalë nga Shërbimi Informativ Shtetëror, i cila po rezulton një institucion me shumë “dritare ajrimi”. Kështu sipas TCH: “Qarkorja e shpërndarë në mënyrë elektronike në rrjetin e brendshëm të komunikimit urdhëron, duke nisur prej datës 11 Mars 2014 e në vijim, të gjithë punonjësit e shërbimit në godinën qendrore duhet të mbyllin në kasafortë të gjitha pajisjet elektronike, përfshi edhe telefonat celularë personalë. Ndërsa telefonat e punës gjatë orarit zyrtar, duhet t’i vendosin në tavolinën e sekretares të çdo drejtorie, e cila duhet të njoftojë punonjësit sa herë bien zilet e tyre”. Lajmin TCH e përcjell duke cituar një burim nga brenda shërbimit, i cili zbulon kështu rregullimin e punës brenda institucionit të tij. E keqja e këtij urdhri presupozohet se qëndron në implikimet me vetë punën operative, pasi sipas TCH-së “këtë qarkore burimi e përshkroi si një masë ekstreme e cila pengon punën e drejtuesve të SHISH pasi paralizon komunikimin me agjentët në terren”. E mira e çështjes duket se qëndron se për këtë procedurë është në dijeni edhe kryeministri, por edhe kreu i komisionit Parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho, që në një prononcim për TCH jep këtë koment: “Pas rrjedhjes së informacioneve nga ky institucion, gjë për të cilën drejtuesit e SHISH përgjegjësinë s’kanë përse ta kërkojnë tek media, por tek vetja, ata, thekson Braho, janë mbërthyer nga sindroma e dyshimit dhe e frikës ndaj kujtdo pjesëtari të përfshirë aty si punonjës legal, për të zbuluar armiqtë e mundshëm që nxjerrin, jo vetëm të ashtuquajtura sekrete, por edhe veprimet e paligjshme të drejtuesve të SHISH”.
s.z
Comments
Duket qe po pergatitet puçi
Duket qe po pergatitet puçi rradhes ndaj institucioneve te pavarura. Bravo qeveria lapanjoseve, Turp.
Add new comment