Rendi i ri botëror

Postuar në 21 Mars, 2014 12:56

The Economist

“Në mendjet dhe zemrat e popullit”, deklaroi Vladimir Putini përpara Parlamentit të Rusisë këtë javë, “Krimea ka qenë gjithmonë një pjesë e pandashme e Rusisë”. Ai e aneksoi ishullin me një shpejtësi dhe eficencë mbresëlënëse, i mbështetur nga një shumicë dërrmuese në referendum. Ai e quan fitore të rendit dhe legjitimitetit, si dhe një goditje ndaj përpjekjeve të Perëndimit për të futur hundët.

Në realitet Putini është një forcë paqëndrueshmërie dhe mosmarrëveshjesh. Akti themelues i rendit të tij të ri botëror ishte ribërja e kufijve, duke përdorur argument që mund të shfrytëzohen për të ndezur mosmarrëveshjet territoriale në dhjetëra vende përreth botës. Edhe nëse shumica e banorëve të Krimesë duan të bashkohen me Rusinë, referendumi ishte një farsë. Sjellja e re e Rusisë është përshkruar ngushtësisht si fillimi i një lufte të re të ftohtë me Amerikën. Në fakt, ajo përbën një rrezik më të gjerë për shtetet kudo ku janë, sepse Putini e ka shkelur me një tank rendin botëror ekzistues.

Përqafimi i mëmëdheut

Politika e jashtme ndjek cikle. Kolapsi i Bashkimit Sovjetik hapi një dekadë supremacie të pasfiduar për SHBA si dhe konfirmimin agresiv të vlerave amerikane. Por, e fryrë prej arrogancës së George Bushit, kjo “botë unipolare” u mbyt në pluhurin e Irakut. Që atëherë, Obama është përpjekur për një qasje më bashkëpunuese, ndërtuar mbi besimin se Amerika mund të gjejë kauza të përbashkëta me shtetet e tjerë për të përballur problemet e përbashkët dhe izoluar keqbërësit. Ka dështuar keqas në Siri, por ka treguar disa shenja funksionimi me Iranin. Edhe në formën e vet më të butë, është ndikimi i Amerikës që i mban të hapura rrugët detare, që kufijtë respektohen dhe që ligjet ndërkombëtarë zbatohen gjerësisht. Në këtë drejtim, rendi post-sovjetik ka kuptim.

Tani, Putini po e shkatërron. Ai e mbulon rrëmbimin e Krimesë me veshjen e ligjeve ndërkombëtarë, duke argumentuar për shembull se rrëzimi i qeverisë në Kiev nënkupton që ai nuk është më i detyruar prej një Traktati që garanton kufijtë e Ukrainës e që Rusia e firmosi në 1994-ën, kur Ukraina hoqi dorë nga armët bërthamore. Po kështu, ai ka folur për parimin që i duhet të mbrojë “bashkatdhetarët” e tij – domethënë çdokënd që ai zgjedh ta quajë rus – kudo ku ata ndodhen. Përkundër të gjithë provave, ai ka mohuar që trupat pa distinktivë që morën kontrollin e Krimesë kanë qenë rusë. Ky kombinim mbrojtjeje dhe dredhie është një formulë për ndërhyrjen në çdo vend që ka minoritet, dhe jo vetëm rus.

Duke tundur në ajër dëshmitë e fabrikuara për “fashistë ukrainas që kërcënojnë Krimenë”, ai ka shpërfillur parimin që ndërhyrjet jashtë vendit duhet të jenë një mjet i fundit, përballë vuajtjeve reale. Putini përmend bombardimin e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, por ky ndodhi pas një dhune të tmerrshme dhe përpjekjeve të shumta në OKB – të cilat Rusia i bllokoi. Edhe atëherë, Kosova nuk u aneksua menjëherë si Krimeja, por u shkëput nëntë vjet më vonë.

Shkurt, rendi i ri i Putinit është i ndërtuar mbi revanshizëm, një përbuzje të marrë ndaj të vërtetës, si dhe shtrembërimin e ligjit që t’u shkojë për shtat atyre që kanë pushtet. Kështu, nuk është fare rend.

Wshtë e trishtueshme që shumë pak njerëz e kuptojnë këtë. Shumë vende nuk durojnë dot lidershipin e Amerikës dhe moralizimet perëndimorë. Por, rendi i ri i Putinit do të jetë shumë më keq për ta. Vendet e vegjël lulëzojnë në një sistem të hapur rregullash, ndonëse jo të përsosur. Ndërsa, nëse të drejtë ka vetëm ai që është më i fuqishëm, ata kanë shumë për t’u frikësuar, sidomos nëse u duhet të vihen përballë një fuqie të madhe rajonale. Vendet e mëdhenj, sidomos gjigantët e rinj të botës në zhvillim, përballen më pak me rrezikun e kërcënimit, por gjithsesi aty është rreziku i një bote në anarshi dhe pa pikë besimi, gjë që është njësoj e dëmshme për ta. Nëse marrëveshjet ndërkombëtare zhvishen nga kuptimi që kanë, India mund të shkojë fare lehtë drejt një përplasjeje të armatosur me Kinën për Arunachal Pradeshin apo për Ladakhun me Pakistanin. Nëse shkëputja e njëanshme është e pranueshme, Turqia do ta ketë më të vështirë të bindë kurdët e saj se e ardhmja e tyre qëndron në bërjen e paqes. Egjipti dhe Arabia Saudite duan të frenojnë ambiciet rajonale të Iranit, dhe jo të ushqehen më shumë nga parimi që ai mund të ndërhyjë për të ndihmuar myslimanët shiitë nëpër Lindjen e Mesme.

Edhe Kina duhet të ndalet. Taktikisht, Krimea i bashkon disa pika të panoramës. Precedenti i shkëputjes është mallkim, për shkak të Tibetit. Parimi i bashkimit është i shenjtë, për shkak të Taivanit. Por, strategjikisht, interesat e Kinës janë të qartë. Për dekada të tëra, ajo është përpjekur të ngjitet paqësisht brenda sistemit, duke shmangur konkurrencën që, për shembull, zengjini i ri me emrin Gjermani nisi kundër Britanisë në shekullin 19 dhe që përfundoi në luftë. Por paqja është bishtnuese në botën e Vladimir Putinit, sepse çdo gjë mund të shndërrohet në pretekst për të vepruar, dhe çdo gjë që perceptohet si agresion kërkon përgjigje.

Vepro tani ose paguaj më vonë

Për Obamën, ky është një moment përcaktues. Ai duhet të udhëheqë, jo thjeshtë të bashkëpunojë. Por Krimeja duhet të ketë rëndësi edhe për pjesën tjetër të botës. Duke parë atë që është në lojë, përgjigja deri tani ka qenë e dobët dhe e fragmentuar. Kina dhe India pak a shumë kanë qëndruar mënjanë. Perëndimi ka vendosur sanksione për vizat dhe ka ngrirë asetet e pak rusëve. Këto veprime, ata që janë në shënjestër i konsiderojnë medalje lavdie.

Më e pakta, masat duhet të fillojnë të jenë përtej pritshmërive. Ngrirja e aseteve mund të jetë masë e fortë sepse, siç e treguan sanksionet e Iranit, financa ndërkombëtare e ka tmerr të mbërthehet në makinerinë regullatore të Amerikës. Miqtë kleptokratë të Putinit do të “kuisnin” nëse Britania do ta bënte Londrën të mos mirëpriste paratë e rusëve të lidhur me regjimin. Franca duhet të ndalë shitjen e armëve tek Rusia. Dhe, në rast se i ka ardhur radha Ukrainës lindore, Gjermania duhet të jetë gati për embargo ndaj gazit dhe naftës ruse. Që tani duhet të fillojë planifikimi për të zvogëluar varësinë e Europës nga energjia ruse dhe për të forcuar NATO-n.

Ukraina ka nevojë për para, për të shmangur kolapsin, por edhe për reforma afatgjata me ndihmën e FMN-së, të mbështetura nga sa më shumë këshilla nga jashtë, por aq sa mund të përballojë vendi. Si hap i parë, Amerika duhet të paguajë menjëherë pjesën e saj për fondin, pagesë që është bllokuar nga Kongresi për muaj të tërë.

Edhe nëse Perëndimi është i përgatitur të marrë masa serioze ndaj Putinit, fuqitë në ngjitje të botës mund të mos jenë të prirura ta dënojnë. Por në vend të pranojnë në heshtje aneksimin që ai i bëri Krimesë, ata duhet të reflektojnë, se në çfarë lloj rendi botëror duan të jetojnë. A do të preferonin një rend ku shtetet respektojnë marrëveshjet ndërkombëtare dhe kufijtë? Apo një rend ku fjalët nuk mbahen, kufijtë injorohen dhe marrëveshjet shkelen me dëshirë? /bota.al/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.