Reforma territoriale, Paloka sqaron “jo-në” e PD-së: “PS-LSI synojnë një hartë elektorale favorizuese”

Kreu i Grupit Parlamentar Edi Paloka ka sqaruar pak përpara se të nisë seanca, arsyet se përse opozita refuzoi të japë konsensusin për reformën territoriale. Sipas Palokës, pas idesë për këtë reformë qëndrojnë llogari elektorale, që nisen nga premisat e riorganizimit territorial të vendit në funksion të krijimit të një harte elektorale favorizuese. “Ne nuk mund të bëhemi qesharakë para shqiptarëve pse kemi një qeveri qesharake që nuk mban asnjë nga premtimet e saj. Sigurisht reforma është e domosdoshme dhe është e lidhur me një reformë për decentralizimin e pushtetit lokal që deri më sot po shkelet dhe me reformën zgjedhore. Fakti është që kjo mazhorancë synon të krijojë një hartë elektorale për interesat e saj. Të krijojë një hartë ku të llogarisë numrat që zgjedhjet e ardhshme t’i fitojë ma hartë elektorale dhe jo me votat e shqiptarëve”, deklaroi Paloka. Nisur nga ky qëndrim bëhet disi e vështirë arritja edhe në të ardhmen i konsensusit, pasi është e qartë se nëse një llogari e tillë është në tavolinë, nga ajo nuk do hiqet asnjëherë dorë. Puna është se në cilat premisa do të hyjë PD-ja në proces, meqenëse parimisht ajo është shprehur pro reformës.
s.z
Add new comment