Pushteti vendor i PD-së do të bllokojë qeverinë? P. Zogaj shkruan se “kandidatët e PD-së mund të përpilojnë një deklaratë bashkëpunimi me qeverinë dhe të ftojnë Ramën dhe Metën për të firmosur”

Postuar në 20 Maj, 2015 08:03

Preç Zogaj trajton sot në “Panorama” temën e fushatës elektorale, ashtu siç po organizohet ajo nga mazhoranca. Më konkretisht, Zogaj, ish-koordinator i opozitës së majtë, merret me teza si ajo e apelit për vota, për të shmangur bllokimin që njësitë vendore të opozitës do t’i bënin qeverisë. “Qeveria Rama-Meta është prej dy vitesh në pushtet. Cila bashki e drejtuar nga demokratët  i ka bllokuar gjatë këtyre dy vjetëve? Kur dhe për çfarë? Me filxhan dhe me spekulime nuk shkohet në politikë. Fabula e re e bllokimit nga poshtë ngjan pak me përrallën e ujkut, që i ankohet qengjit pse më turbullove ujët. Nuk ka asnjë shenjë që të përligjë “profecinë” e qeverisë”, shkruan Zogaj. Për këtë lloj fushate, kryeministri ka ardhur në vëmendje, pasi po lë të kuptohet se fondet do të vijnë nëse vota shkon majtas. Në çdo rast, sado butë të thuhet mesazhi, apo nënkuptohet ai, sërish ai përvijohet si presion. Dhe kjo, sipas Zogajt, edhe pse kandidatët e opozitës po bëjnë ftesë për bashkëpunim. “Edi Rama nuk po i përgjigjet dot me të njëjtën monedhë doktor Kosovës. Sepse i bie përdhe fabula e bllokimit, që në fakt ka lindur e vdekur, pasi edhe Grida Duma nga Durrësi ka deklaruar të njëjtën gjë dhe nuk është çudi që kandidatët e PD-së të përpilojnë një deklaratë solemne bashkëpunimi me qeverinë në interes të qytetarëve dhe t’i ftojnë publikisht kryetarin e qeverisë dhe kryetarin e Kuvendit për të firmosur. Ata duken të vendosur të vërtiten në zukthat e politikës së vjetër, sepse nuk kanë program, nuk kanë as premtime kësaj radhe, për arsye që dihen- janë shumë të freskëta ato të vitit 2013 që rezultuan gënjeshtra. Kanë vetëm kërcënime. Dje më bllokim nga lart, sot me bllokim nga poshtë, nesër kushedi se me çfarë. A mund të votohet kërcënimi? Kjo është pyetja”, shkruan Zogaj.

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.