Pse është e pamundur të ndalësh prostitucionin?

Në një natë të nxehtë të diele, një makinë ndalon para Portit Odessa në Ukrainën e Jugut. Mbi më shumë se 30 vajza u mblodhën përreth saj, duke marrë poza provokuese para fenerëve.
Shoferi uli menjëherë xhamat e makinës dhe një tutore femër, e dashur nga të gjitha vajzat, të cilat e thërrasin me përkëdheli “mamachka”, fut kokën brenda për të bërë pazarin e çmimit. Për më pak se gjashtëdhjetë sekonda dy vajza kanë hipur në makinë, ndërsa pjesa tjetër kthehen në vendin e tyre duke biseduar dhe duke pirë cigare. Biznesi është mjaft “i gjallë” dhe i larmishëm e megjithatë vajzat duken të mërzitura. Për to kjo është një periudhë jo shumë produktive.
“Punë të vërtetë ka në Emirate, Dubai ose Antalja”, thotë Masha, një vajzë shumë e dobët 19-vjeçare, të cilës i dridhen disi këmbët për shkak të takave shumë të larta. “Mos u keqkuptoni”, thotë ajo. “Askush nuk vjen të na kapë prej flokësh dhe të na fusë në një anije”. Vajza drejton gishtin drejt portit që ndodhet disa metra më larg. “Ato janë si portat e lirisë për shumë prej nesh”, vazhdon ajo. “Po pra, tamam si Statuja e Lirisë”, shton një vajzë tjetër dhe i gjithë grupi i vajzave shpërthen në të qeshura.
U desh më pak se një dekadë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, që Odessa të kthehej në një port kryesor të tregut ndërkombëtar të seksit. Kushtet ishin perfekte. Porti i zhurmshëm dhe aktiv i Detit të Zi ishte rruga më e lehtë për pjesët më të varfra të Ukrainës, Rumanisë dhe Moldavisë drejt Europës Perëndimore dhe vendeve arabe. Krimi i organizuar ishte i shfrenuar dhe i papërmbajtshëm, policët e ndyrë dhe të varfër ishin lehtësisht të korruptueshëm dhe sikur të mos mjaftonin këto, shtatë vjet jetese pas Perdes së Hekurt kishin krijuar një gjeneratë të tërë vajzash provinciale, të cilat ishin sa injorante rreth botës së jashtme aq edhe të dëshpëruara për shanset që kjo e fundit mund t’i ofronte.
Por, problemi i vërtetë është që prostitutat e ditëve të sotme që kalojnë përmes Portit të famshëm Odessa nuk frymëzohen më nga ëndrrat naive që mbanin në gji paraardhëset e tyre të viteve ‘90. Pikërisht për këtë arsye, tregu i seksit që menaxhohet në Odessa është forcuar gjatë viteve të fundit, duke u kthyer në një rutinë të zakonshme shumë herë më të vështirë për t’u ndalur. “Reporterët gjithnjë vijnë këtu dhe kërkojnë të shohin viktimat”, thotë Olga Kostyuk, kryetare e qendrës bamirëse “Faith, Hope, Love”, e cila siguron asistencë për të gjithë punëtorët e seksit në Odessa. “Njerëzit duan fytyra, emra, duan të shohin tutorët, manipulatorët që ndodhen pas gjithë kësaj. Por, gjërat tashmë nuk janë aq të thjeshta”.
Add new comment