Polemika për mënyrën sesi u rizgjodh Isa Mustafa në krye të LDK-së

Mënyra e zgjedhjes së Isa Mustafës në krye të LDK-së nuk ka kaluar pa polemika. Referuar asaj çfarë raportojnë mediat në Kosovë, mënyra e votimit dhe mungesa e rivalit ka shkaktuar pikëpyetje. Mediat raportojnë se përveç dy votave kundër, ka pasur edhe delegatë që kanë braktisur sallën në shenjë proteste për mosrespektim të Statutit, i cili parashikon votim të fshehtë.
Kryetari i Degës së LDK-së në Suharekë, Sali Asllanaj, ka thënë se nuk kanë mundur t’i numërojnë votat pasi kanë shpërthyer duartrokitjet e delegatëve të LDK’së. Edhe pse ka deklaruar votën pro Mustafës, “Express” raporton se Asllanaj është shprehur se do të ishte më mirë që votimi të organizohej në mënyrë të fshehtë.
Nga ana tjetër, Vjosa Osmani, e cila nuk arriti të kandidohet për kryetare të Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkak të numrit të vogël të votave të delegatëve, tha se zgjedhjen e Isa Mustafës me votim të hapur (me ngritje dore) nuk do ta njohë. Sipas saj, Mustafa nuk është kryetar legjitim.
n.k
Add new comment